Vendosni fjalën kyçe....

Orbani thotë se Ukraina nuk është shtet sovran


Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka deklaruar të hënën se “Ukraina nuk është shtet i pavarur, nuk është shtet sovran”, duke i cilësuar si të ekzagjeruara akuzat se dronë hungarezë të zbulimit kanë shkelur hapësirën ajrore të saj. Në një podkast me prirje të djathta, Orban tha se edhe nëse dronët kanë hyrë disa metra brenda territorit ukrainas “nuk ka ndodhur asgjë”, pasi “Ukraina financohet nga Perëndimi dhe nuk mbijeton pa ndihmën e tij”, përcjell REL.

Deklaratat e tij ngjallën reagime të menjëhershme në Kiev. Ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha, u kundërpërgjigj në rrjetin X, duke thënë se kryeministri hungarez “mbetet i helmuar nga propaganda ruse”. Edhe Presidenti Volodymyr Zelensky ditë më parë akuzoi Budapestin se kishte nisur dronë për të mbledhur informacione mbi kapacitetet industriale në rajonet kufitare perëndimore të Ukrainës.

Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto, hodhi poshtë akuzat, duke thënë se Zelensky “ka luajtur mendsh”. Përshkallëzimi i tensioneve mes dy vendeve po reflektohet edhe në fushën e medias: Budapesti njoftoi se do të bllokojë qasjen në 12 portale ukrainase, si përgjigje ndaj vendimit të mëparshëm të Kievit për të mbyllur disa faqe online pro-ruse, përfshirë tetë në gjuhën hungareze.