
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, në një deklaratë të përbashkët me presidentin amerikan Donald Trump, tha se zbatimi i planit të paqes për Gazën do të nisë vetëm nëse Hamasi pranon kushtet e vendosura nga Uashingtoni. Sipas tij, hapi i parë do të jetë një “tërheqje modeste”, e ndjekur nga lirimi i të gjithë pengjeve brenda 72 orësh.
Netanyahu shtoi se më pas do të krijohet një trupë ndërkombëtare, e cila do të marrë përsipër çarmatosjen e plotë të Hamasit dhe demilitarizimin e Gazës. “Nëse kjo trupë ia del me sukses, ne do t’i japim fund përgjithmonë luftës,” u shpreh kryeministri izraelit. Ai theksoi se Izraeli do të kryejë tërheqje të mëtejshme gradualisht, në varësi të progresit në çarmatosje, por do të ruajë një prani sigurie në territor “për një të ardhme të parashikueshme”.