
Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, tha se Uashingtoni po e shqyrton kërkesën e Kievit për raketa Tomahawk, por theksoi se vendimin përfundimtar do ta marrë presidenti Donald Trump.
Kievi ka kohë që i bën thirrje Perëndimit për armë që mund të godasin thellë në territorin rus, duke argumentuar se kështu do të dëmtonte rëndë industrinë ushtarake të Moskës dhe do të detyronte Kremlinin të hynte në bisedime paqeje. “Nëse kostoja e luftës bëhet shumë e lartë për Moskën, ajo do të detyrohet të negociojë,” tha zëvendësministri i mbrojtjes së Ukrainës, Ivan Havryliuk, për BBC.
Kremlini reagoi menjëherë. Zëdhënësi Dmitry Peskov tha se as Tomahawks, as armë të tjera “nuk do të mund ta ndryshojnë dinamikën e frontit”.
Raketat Tomahawk kanë rreze veprimi deri në 2,500 km (1,500 milje), duke e vënë edhe Moskën në shënjestër të mundshme të Ukrainës.
Ndërkohë, i dërguari special i SHBA-së për Ukrainën, Keith Kellogg, sugjeroi se Trump tashmë ka dhënë dritën jeshile për goditje të thella në territorin rus. “Nuk ka gjëra të paprekshme – nëse keni aftësinë, përdoreni,” tha ai për Fox News.
Deklaratat vijnë mes një ndryshimi toni nga Uashingtoni. Pasi kishte shfaqur skepticizëm mbi aftësinë e Ukrainës për të rezistuar, Trump javën e kaluar tha se “Kievi mund ta rifitojë të gjithë territorin e tij”.
Situata në terren mbetet dramatike. Një sulm 12-orësh me qindra dronë dhe rreth 50 raketa vrau katër persona në Kiev të dielën, duke plagosur të paktën 70 të tjerë. Ukraina thotë se Rusia po përdor dronë gjithnjë e më të sofistikuar për të depërtuar mbrojtjen ajrore.
Kievi kërkon të paktën 10 sisteme Patriot nga Perëndimi për mbrojtje kundër raketave balistike, ndërsa vetë po rrit prodhimin vendas të dronëve dhe artilerisë. Megjithatë, deri sa të forcojë kapacitetet e saj, mbetet e varur nga ndihma perëndimore.
“Vetëm së bashku me partnerët tanë mund ta ndalim terrorin rus në qiell,” tha Havryliuk.