
Gjykata e Lartë e SHBA pritet të rihapë çështjen Humphrey’s Executor v. United States (1935), një precedent që ka kufizuar fuqinë e presidentit për të shkarkuar zyrtarë të agjencive të pavarura si Komisioni Federal i Tregtisë (FTC) apo Komisioni i Letrave me Vlerë. Vendimi i atëhershëm e mbronte pavarësinë e këtyre institucioneve, por tani rrezikon të rrëzohet ose të ngushtohet, duke zgjeruar dukshëm autoritetin ekzekutiv, përcjell Fox News.
Rasti aktual lidhet me ish-komisioneren e FTC, Rebecca Slaughter, e emëruar nga ish-presidenti Biden, por e shkarkuar menjëherë nga Donald Trump sapo mori detyrën. Ajo ka kundërshtuar vendimin duke iu referuar ligjit që parashikon shkarkim vetëm “me kauzë”, ndërsa Gjykata e Lartë në një vendim emergjent 6–3 ka lejuar që shkarkimi të mbetet në fuqi deri në shqyrtimin përfundimtar.
Ekspertët kushtetues theksojnë se nëse Humphrey’s Executor bie, pasojat do të preknin edhe agjenci të tjera që sot gëzojnë mbrojtje të ngjashme, përfshirë Komisionin e Punës apo Komisionin e Letrave me Vlerë. Një përjashtim i mundshëm mbetet Rezerva Federale, e cila shihet nga gjykata si një strukturë “pothuaj private”.
Vendimi i pritshëm shihet si një hap i madh drejt teorisë së ekzekutivit unitar, e cila i jep presidentit kontroll të plotë mbi degën ekzekutive. Mbështetësit e kësaj qasjeje e krahasojnë presidentin me një CEO që duhet të mbikëqyrë të gjithë strukturën, ndërsa kritikët paralajmërojnë për tendenca autoritariste.