
Apeli i Gjykatës së Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit (GJKKO) ka vendosur të heqë masën e arrestit në shtëpi ndaj avokatit B.L., i akuzuar nga SPAK për marrje ryshfeti prej 8 mijë eurosh nga një klient italian për të ndikuar tek organet e drejtësisë.
Megjithatë, avokatit i ndalohet përkohësisht ushtrimi i profesionit, sipas vendimit të gjyqtarit të Apelit Florjan Kalaja.
Avokati ishte vënë nën arrest në shtëpi më 10 shtator, ndërsa tani Apeli ka ndryshuar këtë masë sigurie, duke ruajtur ndalimin për ushtrimin e profesionit.
“Ndryshimin e Vendimit Nr. 92, datë 11.09.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar.
Caktimin ndaj Z. B.L. të masës së sigurimit ndalues të parashikuar nga neni 243 i Kodit të Procedurës Penale, duke urdhëruar ndalimin e përkohshëm të ushtrimit të profesionit të avokatisë.
Urdhërohet sekretaria gjyqësore që një kopje të këtij vendimi t’i njoftohet Dhomës Kombëtare të Avokatisë”, thuhet në vendimin e Apelit të GJKKO.