Vendosni fjalën kyçe....

Të shtëna dhe zjarr në një kishë në Miçigan, disa persona të plagosur


Disa persona janë plagosur pas një sulmi me armë zjarri në kishën The Church of Jesus Christ of Latter-day Saints në Grand Blanc, Miçigan, sipas njoftimit të policisë lokale.

Departamenti i Policisë së Grand Blanc Township konfirmoi se përveç të shtënave, kisha është gjithashtu në flakë, përcjell NBC.

“Ka disa viktima dhe autori është neutralizuar. Nuk ka rrezik për komunitetin në këtë moment”, thuhet në deklaratën zyrtare të policisë.

Ende nuk është e qartë nëse sulmuesi është vrarë apo ndodhet në paraburgim.

Pamjet e publikuara nga Genesee County tregojnë një re të madhe tymi të zi që ngrihet mbi ndërtesën e kishës, ndërsa autoritetet i kanë kërkuar banorëve të shmangin zonën.

Kongresmeni republikan John James reagoi në rrjetin X duke e quajtur ngjarjen “një e keqe e madhe”. Ai shkroi: “Në këtë të diel, një ditë e dedikuar për paqe dhe adhurim, një akt i tillë dhune është një e keqe e rëndë. Lutjet tona janë me viktimat, familjet e tyre dhe gjithë komunitetin”.

Policia dhe shërbimet emergjente vijojnë të jenë në vendngjarje, ndërsa hetimet janë në zhvillim.