Vendosni fjalën kyçe....

Partia e Lirisë reagon për raportin e DASH: E vërteta që rrënon propagandën e qeverisë



Zv.presidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka reaguar në lidhje me raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) mbi klimën e investimeve në Shqipëri. Ajo ka shprehur shqetësimin se raporti i DASH vërteton të gjitha akuzat dhe shqetësimet që opozita ka ngritur prej vitesh për korrupsionin dhe pengesat që i ka krijuar qeveria zhvillimit ekonomik.

Në një postim të saj në Facebook, Xhixho shkruan se ky raport është një pasqyrë e hidhur e vërtetës dhe rrëzon propagandën e qeverisë. Ajo thekson se raporti i DASH konfirmon se faktorët që pengojnë zhvillimin e investimeve janë:

  • Korrupsioni i përhapur në çdo nivel të qeverisjes

  • Ndikimi i krimit të organizuar

  • Deformimi i konkurrencës

  • Shpopullimi masiv, që ka dëmtuar fuqinë punëtore

  • Informaliteti i përhapur kudo

Në postimin e saj, Xhixho thekson se raporti tregon se Shqipëria ka një PBB që është vetëm një e katërta e mesatares së Bashkimit Evropian, dhe kjo kërkon reforma të thella strukturore, të cilat qeveria aktuale, sipas saj, nuk ka ndërmend t’i ndërmarrë.

Ligji për Investimet Strategjike, që u miratua në vitin 2015 për të nxitur investimet, gjithashtu është i përfshirë në kritikat e raportit. Sipas DASH, ky ligj është përdorur për të shpërndarë bregdetin e Shqipërisë tek klientët e qeverisë, dhe jo për të sjellë investime të huaja. Xhixho nënvizon se, përkundër zgjatjeve të shumta të afateve për ligjin, investimet e huaja mbeten të pakta, dhe shumica e projekteve të miratuara janë në sektorin e turizmit dhe udhëhiqen nga investitorë vendas.

Në postim, Xhixho gjithashtu thekson se emigrimi i të rinjve dhe mungesa e fuqisë punëtore ka krijuar një hendek të madh në perspektivën e investimeve, ndërsa prania e parave të paligjshme, duke përfshirë trafikimin e drogës, kontrabandën dhe evazionin fiskal, kanë shtrembëruar konkurrencën dhe kanë penguar investimet.

Xhixho mbyll postimin duke thënë se ky raport është pasqyra e një Shqipërie që është vënë në shërbim të një grushti njerëzish, ndërkohë që shumica e qytetarëve po përpiqen të ikin nga vendi për shkak të kostos së jetesës dhe mungesës së shpresës.