Vendosni fjalën kyçe....

Hamas thotë se ka humbur kontaktin me dy pengje në Gaza gjatë bombardimeve të IDF


Krahu ushtarak i Hamasit njoftoi të dielën se ka humbur kontaktin me dy nga pengjet që mban në Gaza, duke thënë se ndërprerja ka ardhur pas “operacioneve masive ushtarake dhe bombardimeve të rënda në lagjet Shabura dhe Tal al-Hawa të Gazës gjatë 48 orëve të fundit”.

Në deklaratë, grupi terrorist tha se “jetët e pengjeve janë në rrezik real” dhe kërkoi nga Izraeli “të ndalojë sulmet ajrore për 24 orë, duke filluar nga ora 18:00 e mbrëmjes së sotme”, si dhe “të përparojë menjëherë në jug drejt Rrugës 8” për të mundësuar një përpjekje për shpëtimin e tyre.

Forumi i Familjeve të Pengjeve dhe të Zhdukurve njoftoi se familjet e dy personave, emrat e të cilëve u përmendën nga Hamasi, janë në kontakt me autoritetet kompetente dhe po shqyrtojnë deklaratën e Hamasit, sipas Ynet.

Familjet kërkuan që emrat e pengjeve të mos bëhen publikë.

Sipas vlerësimeve të institucioneve të sigurisë izraelite, disa pengje ende mbahen gjallë në qytetin e Gazës gjatë operacionit tokësor të IDF, i koduar Gideon’s Chariots II, ndërsa Hamasi pretendon se rreth 10 pengje vazhdojnë të jenë gjallë.

Njoftimi i Hamasit erdhi në një kohë kur raportohen diskutime intensive mbi iniciativën 21-pikëshe të presidentit amerikan Donald Trump, përpara takimit të tij të hënën në Shtëpinë e Bardhë me kryeministrin Benjamin Netanyahu.

Zyrtarët izraelitë thonë se plani mund të zbatohet dhe ofron mundësinë për një lirimin gjithëpërfshirës të të gjithë pengjeve brenda rreth 72 orësh.