Vendosni fjalën kyçe....

Arrestohet një shtetas shqiptar në Kolumbi, i kërkuar nga autoritetet italiane për lidhje kriminale dhe trafikun e drogës



Një shtetas shqiptar u arrestua në qytetin Boyacá të Kolumbisë, pas një kontrolli rutinë imigracioni, kur u konfirmua se ai kërkohej ndërkombëtarisht nga autoritetet italiane me akuzën e lidhjeve kriminale dhe trafikut të drogës.

Sipas informacionit të autoriteteve kolumbiane, procedura e arrestimit u realizua nga oficerët e Imigracionit të Kolumbisë, të cilët, pas verifikimeve, e vunë shtetasin shqiptar në dispozicion të Policisë Kombëtare.

Burri kishte udhëtuar nga Bogota në qytetin e Tunjës, ku u zbulua ndërsa po përpiqej të kryente një procedurë në Zyrën Kolumbiane të Imigracionit. Sipas hetimeve, ai kishte zgjedhur të udhëtonte për në Boyacá me qëllimin për të shmangur kontrollet që zhvilloheshin në pikat e zakonshme të kalimit.

Hipoteza e autoriteteve kolumbiane sugjeron se shtetasi shqiptar mund të kishte menduar se në Tunja, një qytet më pak i frekuentuar, do t’i ishte më lehtë të qëndronte i pazbuluar, por kontrolli imigracioni e çoi atë në pranga.

Tani ai do të përballet me procedurat për ekstradim drejt Italisë, ku akuzohet për aktivitet kriminal të lidhur me trafikun ndërkombëtar të drogës.