Vendosni fjalën kyçe....

Krujë/ Morën peng të miturin pas një konflikti, 2 të arrestuar dhe 2 në kërkim


Dy persona janë arrestuar nga policia e Krujës pasi morën peng një të mitur në fillim të muajit gusht, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim.

Të arrestuarit janë identifikuar si Edmond Kovaçi, 33 vjeç, dhe Dashnor Kovaçi, 22 vjeç, ndërsa në kërkim janë shpallur shtetasit E. K. dhe A. Z.

Sipas njoftimit të policisë, ngjarja ndodhi pas një konflikti për motive të dobëta, gjatë të cilit dy të arrestuarit i hoqën lirinë të miturit.

Pas kallëzimit në polici, dy personat në kërkim kanë goditur me grushte të miturin dhe dy persona të tjerë që e shoqëronin, një 22-vjeçar dhe një 36-vjeçar, me qëllim që të tërhiqnin denoncimin.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë, pas veprimeve të thelluara hetimore dhe konsultimit me Prokurorin, bënë ndalimin e shtetasve E. K., 33 vjeç, dhe D. K., 22 vjeç, ndërsa u shpallën në kërkim shtetasit E. K. dhe A. Z. Punohet për kapjen e tyre dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes,” njoftoi policia.

Materialet procedurale janë kaluar në Prokurori për veprime të mëtejshme.