Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, të premten sugjeroi se një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës gati dyvjeçare të Izraelit në Rripin e Gazës së rrethuar është shumë afër.
Trump tha se marrëveshja është “shumë afër” finalizimit, vetëm disa ditë pasi ai thirri një takim për Gazën me udhëheqësit rajonalë në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork. Trump tha të enjten se i telefonoi kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, i cili pritet të vizitojë Shtëpinë e Bardhë të hënën, për të diskutuar situatën, shkruan AA.
“Duket sikur kemi një marrëveshje për Gazën dhe do t’ju njoftojmë”, u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë ndërsa po përgatitej të nisej për Kupën Ryder.
“Mendoj se është një marrëveshje që do t’i kthejë pengjet. Do të jetë një marrëveshje që do t’i japë fund luftës. Do të jetë një marrëveshje që do të jetë paqe”, shtoi ai.
Ushtria izraelite ka vrarë më shumë se 65,000 palestinezë, shumprej tyre gra dhe fëmijë, në Gaza që nga tetori i vitit 2023. Muaj të tërë sulmesh ajrore dhe tokësore e kanë lënë Gazën kryesisht të pabanueshme, duke e shtyrë popullsinë e saj drejt zhvendosjes, urisë dhe sëmundjeve.
Izraeli sulmoi gazën pasi Hamasi kreu një sulm ndaj territorit izraelit më 7 tetor 2023 duke vrarë 1195 persona e duke marrë peng rreth 250 të tjerë.
