Deputeti demokrat Bardh Spahia denoncoi qeverinë Rama për gjendjen e shëndetësisë në vend.
Ai tha se mjekët janë hallka e fundit e një zinxhiri të gjatë përgjegjshmërie që nis me kryeministrin, ministren e linjës dhe me radhë të gjithë drejtuesit e tjerë në nivele shëndetësore.
Spahia theksoi se nga 2.7% të buxhetit për shëndetësinë në vitin 2013 është kaluar në 1.98% sot.
“Nuk është halli tek mjekët. Mjekët janë hallka e fundit e një zinxhiri të gjatë përgjegjshmërie, që fillon me kryeministrin, vazhdon me ministren e shëndetësisë dhe gjithë drejtuesit në nivelet shëndetësore. Mos harrojmë se sot thelbi i çështjeve është se ndodhemi përballë një sistemi shëndetësor, i cili në vend që të ishte në shërbim qytetarëve, është një sistem shëndetësor i cili shikohet nga pushtetarët dhe drejtuesit e institucioneve të këtij sistemi, si një lopë për tu vjelë. Janë të pafundme rastet e abuzimeve të korrupsionit madhor të sistemit shëndetësor. Dhe askush për çudi edhe sot e kësaj dite nuk ka marrë përgjegjësi, për abuzimet e mëdha që po ndodhin në këtë sistem.
Një aspekt tjetër është financimi dhe lënia pas dore e sistemit shëndetësor shqiptar. Mos harrojmë premtimet e kryeministrit Rama, gjatë fushatave elektorale ishin ngritja në 5% të financimeve të prodhimit të brendshëm bruto për shëndetësinë. E di sa jemi sot? Në nivelin e 1.98 %, as 2% të prodhimit të brendshëm bruto nuk shkon për fushën më të rëndësishëm për shëndetësinë. Po ta krahasosh në 2013, përqindja e buxhetit ishte në nivelin 2.7 % në prodhimin e brendshëm bruto, sot jemi në 1.98%.” – tha Spahia.
