Brezi Z i Italisë po përqafon të djathtën. Me kryeministren Giorgia Meloni në një mision për ta bërë politikën e krahut të djathtë “cool” (joshëse) dhe konservatorët amerikanë që po gjejnë një brez të ri mbështetësish, të rinjtë nga Roma në Milano po shtyjnë përpara nacionalizmin dhe frenimin e emigracionit.
Rreth 10,000 aktivistë nga krahu rinor i partisë “Vëllezërit e Italisë” të kryeministres italiane u mblodhën javën e kaluar në lëndinat e këndshme të EUR – periferisë më të spikatur të Romës së Musolinit – për të kaluar verën në një tubim politik të stilit festival.
Midis seteve të DJ-ve, stendave të ndryshme dhe ping-pongut, një listë e madhe euroskeptikësh, ministra qeveritarë dhe yje të TikTok u mblodhën kundër kërcënimeve ndaj lirisë së fjalës dhe përqeshën intolerancën “e dhunshme” të së majtës.
Në qendër të festivalit të këtij viti ishte vrasja e aktivistit konservator amerikan Charlie Kirk, i cili u qëllua në një tubim universitar në Utah dy javë më parë.
Aktivistët e njihnin Kirk-un nga mediat sociale. Vdekja e tij ka shkaktuar ankth brenda lëvizjes, sipas Antonio Toscano, një sipërmarrës 31-vjeçar siçilian i cili është një nga udhëheqësit e grupit.
“Shumë nga aktivistët sulmohen çdo ditë me gjuhë të ngjashme, akuzohen si “të ligj” ose “fashistë'”, tha ai.
Vetë Meloni iu drejtua këtyre paraleleve në një fjalim përmbyllës të dielën. Në sytë e së majtës, Kirk “ishte i rrezikshëm” dhe “duhej të ndalohej sepse ishte i lirë, i guximshëm dhe i aftë”, u tha ajo turmave, duke shtuar se “e majta dëshiron t’i imponojë bindjet e saj me forcë”.
Motivi pas vrasjes së Kirk-ut mbetet ende i paqartë, por ideja se i dyshuari ishte antifashist është përhapur në diskursin politik amerikan. I dyshuari u akuzua për vrasje të cilësuar, e cila mund të sjellë dënimin me vdekje nëse dënohet.
“Duhet ta marrim Charlie–n si shembull,” tha Francesca Geraci, një studente 20-vjeçare, së bashku me “të gjithë ata që nuk kanë pushuar kurrë së shprehuri idetë, vlerat dhe parimet e tyre nga frika se mos sulmohen ose vriten”.
Detoksifikimi dixhital
Nën diellin përvëlues italian, adoleshentët dhe të rinjtë e Brezit Z me bluza të mëdha dhe xhinse të gjera hëngrën akullore organike dhe pinë birrë artizanale. Pankartat rreth barit ku pinin kafen përshkruanin heronjtë e tyre, duke filluar nga Paul Atreides, personazhi i luajtur nga Timothée Chalamet në filmin hollivudian Dune, deri te Mahsa Amini, 22-vjeçarja iraniane, vdekja e së cilës në paraburgim policor në Iran, pasi dyshohet se shkeli rregullat që u kërkonin grave të mbanin shami koke shkaktoi protesta të gjera në vend.
Për një brez që la shkollën gjatë pandemisë dhe u rrit në botën online, lëvizja ofron gjithashtu një antidot ndaj izolimit të epokës dixhitale: miqësi, qëllime dhe synime në botën e vërtetë.
Të rinjtë tërhiqen nga mundësia e “komunitetit”, tha Fabio Roscani, udhëheqësi i lëvizjes rinore dhe deputet i partisë së Melonit.
Ndërsa të rinjtë stereotipohen si të paangazhuar, ky brez është i etur të bashkohet rreth një kauze të përbashkët, tha Roscani.
“Shumë gjëra të jetës janë online – aktivizmi politik është, do të thoja, një dozë e shëndetshme realiteti.”
Aktivisti studentor Nicolo Sangiorgi, 21 vjeç, u pajtua.
“Njerëzit ndihen si në shtëpi dhe shpejt ndihen pjesë e një familjeje të madhe.”
Lëvizja shpesh bëhet “e gjithë jeta juaj, 360 gradë” duke përjashtuar gjithçka tjetër, tha një aktivist tjetër.
“Brenda degës krijoni lidhje të forta, kështu që bëheni miq jashtë kontekstit politik. Ka besim, ka miqësi, dilni së bashku natën, madje gjeni dashuri. Kjo ndodh, absolutisht.”
Në festivalin katërditor, i cili u zhvillua me sloganin “#PaFiltër”, aktivistët e rinj ndoqën hapat e Melonit: udhëheqësja e Italisë u ngrit lart në të djathtën si themeluese dhe organizatore i festivaleve rinore të kohës. Kur Meloni iu bashkua lëvizjes në moshën 15 vjeç, kjo ndodhi në fund të dekadave të dhunës politike, si në të djathtë ashtu edhe në të majtë, të cilën ajo tha se vrasja e Kirk-ut e pasqyronte. Ajo shpesh e ka cilësuar aktivizmin e saj adoleshent si një rebelim kundër mësuesve të shkollës së saj dhe rrymës kryesore të majtë në lagjen ku është rritur.
Tani, me partinë e saj që drejton qeverinë, aktivizmi i krahut të djathtë është bërë më pak toksik.
Sipas Alfonso Pepe, një avokat 29-vjeçar nga Salerno i cili iu bashkua lëvizjes në moshën 15 vjeç, kjo është “bërë padyshim më e lehtë, sepse ne jemi në qeveri…më parë, ju ishit të margjinalizuar nga shoqëria”.
Por udhëheqësja e lëvizjes, Roscani, tha se është ende sfiduese për studentët, të cilët përballen me perceptime më të gjera se pikëpamjet e Rinisë Kombëtare janë të vjetëruara dhe të papranueshme. “Ne gjithmonë themi se ata duhet të studiojnë më shumë, të jenë më të mirët në klasë”.
“Siç e kemi treguar, ne mund ta qeverisim këtë vend”, u tha Meloni pjesëmarrësve.
“Ne nuk kemi frikë. Ne kurrë nuk do të jemi si e majta, që di vetëm të urrejë“.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Politico
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani

