
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, zhvilloi sot një takim pune në Hagë me Drejtoreshën Ekzekutive të Europolit, Catherine De Bolle, ku u diskutua për forcimin e bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar, emigracionit të paligjshëm dhe kërcënimeve kibernetike.
Gjatë takimit, De Bolle vlerësoi kontributin e Policisë shqiptare në operacionet e përbashkëta me Europolin, duke e cilësuar atë si një partnere të besueshme dhe profesionale.
“Vlerësim dhe mbështetje për Policinë shqiptare, për operacionet e kryera në kuadër të platformës EMPACT, kundër krimit të organizuar,” u shpreh ajo, duke garantuar se mbështetja e Europolit ndaj Shqipërisë do të vijojë të zgjerohet.
Nga ana e tij, Proda falënderoi për besimin dhe mbështetjen, duke theksuar se Policia e Shtetit është e angazhuar për të rritur kapacitetet e saj dhe për të thelluar bashkëpunimin me partnerët europianë.
“Policia e Shtetit shqiptar është shumë e vendosur dhe e angazhuar maksimalisht për të thelluar akoma më shumë bashkëpunimin hetimor e operacional me partnerët, në koordinim nga Europol dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese,” tha ai.
Një ndër pikat kryesore të diskutimit ishte mundësia që Europoli të marrë drejtimin e menaxhimit të operacioneve kundër emigracionit të paligjshëm, i cili shpesh shfrytëzohet nga grupet e krimit të organizuar.
Gjithashtu u fol për përshtatjen e strukturave të Policisë shqiptare me ato të policive europiane, si dhe për përdorimin e produkteve analitike të Europolit në luftën kundër krimit kibernetik.
Në fund të takimit, Proda e ftoi Catherine De Bolle për një vizitë zyrtare në Shqipëri, për të njohur nga afër përparimet e Policisë së Shtetit dhe për të forcuar më tej bashkëpunimin me Europolin.