
Një tërmet me magnitudë 6.2 ballë të Rihterit tronditi Venezuelën perëndimore dhe veriore të mërkurën, tha Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së.
Nuk pati raportime të menjëhershme për viktima ose dëme serioze.
Epiqendra e tërmetit ishte e vendosur në një thellësi prej 7.8 kilometrash (4.8 milje) rreth 24 kilometra (15 milje) nga Mene Grande.
Rreth 600 kilometra në perëndim të Karakasit, Mene Grande është një qytet nafte në një zonë me popullsi të rrallë të shtetit Zulia.
Venezuela është vendi me rezervat më të mëdha të provuara të naftës bruto në botë, të vlerësuara në afërsisht 303 miliardë fuçi që nga viti 2023-2024, dukshëm më shumë se vendet e tjera si Arabia Saudite, Irani dhe Kanadaja.
Shërbimi Gjeologjik Kolumbian e mati dridhjen me magnitudë 6.1 dhe e kategorizoi atë si një ngjarje “me thellësi të cekët” në Mene Grande, por tërmeti u ndje edhe në Kolumbinë fqinje, si dhe në ishujt e Karaibeve të Aruba, Curacao dhe Bonaire, shkruan DW.
Lëkundjet e forta nuk janë të zakonshme në Venezuelë, por tërmeti i së mërkurës tronditi ndërtesat dhe shkaktoi alarm në qytete, përfshirë Karakasin dhe Marakaibon.
Rreth 80% e venezuelianëve jetojnë në zona sizmike, por vendi i Amerikës së Jugut nuk ka pasur një tërmet të madh që nga viti 1997, kur 73 persona vdiqën në Cariaco në shtetin lindor të Sucre.
Në vitin 1976, gati 300 persona humbën jetën dhe 2,000 të tjerë u plagosën kur një tërmet goditi Karakasin.