
Presidenti amerikan Donald Trump priti sot në Zyrën Ovale presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, ku të dy deklaruan se do të diskutojnë mbi bashkëpunimin ushtarak mes dy vendeve, përfshirë sistemin raketor Patriot si dhe avionët luftarakë F-16 dhe F-35, përcjell AP.
“E di që ai i dëshiron F-35-at dhe F-16-at. Jemi në formë shumë të mirë,” tha Trump për gazetarët, i ulur pranë Erdoganit.
“Ai ka nevojë për disa gjëra, ne kemi nevojë për disa të tjera, dhe do të arrijmë në një përfundim. Do ta dini deri në fund të ditës,” shtoi ai.
Gjatë deklaratës së tij, Trump u ndal edhe tek marrëdhënia personale me Erdoganin, duke e quajtur një mik të vërtetë që e ka qëndruar pranë edhe pas humbjes në zgjedhjet e vitit 2020, të cilat ai i përshkroi sërish si “të manipuluara”.
“Edhe për katër vjet, kur isha në internim — padrejtësisht, siç rezulton, zgjedhje të manipuluara — ai mbeti mik. Ai e di më mirë se kushdo çfarë do të thotë të manipulohen zgjedhjet,” tha Trump, duke shtuar se kjo është një mënyrë e mirë për të testuar një miqësi.