Vendosni fjalën kyçe....

Albin Kurti udhëton drejt SHBA-ve për Asamblenë e OKB-së



Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të marrë pjesë në javën e nivelit të lartë të sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB), njoftoi të enjten zyra e tij.

Sipas njoftimit zyrtar, Kurti pritet të zhvillojë takime dypalëshe me liderë ndërkombëtarë, megjithëse nuk është bërë e ditur se me cilët liderë konkretisht do të takohet. Qëllimi i pjesëmarrjes së tij, thuhet në komunikatë, është thellimi i marrëdhënieve me vendet partnere, forcimi i subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, dhe promovimi i mundësive për investime të huaja.

Gjatë qëndrimit në Nju Jork, Kurti do të takohet gjithashtu me pjesëtarë të komunitetit shqiptar në SHBA, si dhe me përfaqësues të diasporës shqiptare.

Ky udhëtim i kryeministrit në detyrë vjen në një kohë të ndjeshme për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së. Më 12 shtator, Uashingtoni njoftoi pezullimin e Dialogut Strategjik me Kosovën, duke kritikuar veprimet e qeverisë Kurti si kontribuese në rritjen e tensioneve dhe paqëndrueshmërisë në vend.

Në një deklaratë, Ambasada Amerikane në Prishtinë tha:

“Veprimet dhe deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e arritur ndër vite, dhe kanë kufizuar aftësinë e SHBA-së për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta.”

Vetë Kurti ka pranuar ekzistencën e dallimeve në qëndrime me SHBA-në, por ka mohuar përçarje serioze në marrëdhënie. Sipas tij, këto dallime lidhen kryesisht me qasjen ndaj Serbisë dhe strukturave ilegale të saj në Kosovë.

Ndërkohë, në Nju Jork ndodhet edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka zhvilluar disa takime të rëndësishme diplomatike. Të mërkurën, ajo u takua me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Marco Rubio, dhe më pas me përfaqësuesen e lartë të BE-së, Kaja Kallas, të cilës i përsëriti kërkesën për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës.