
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, paralajmëroi në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së se agresioni rus nuk do të ndalet vetvetiu dhe se Vladimir Putin “do ta çojë luftën më gjerë dhe më thellë” nëse komuniteti ndërkombëtar nuk ndërhyn me vendosmëri.
“Nuk ka garanci të vërteta sigurie përveç miqve dhe armëve. Pa forcë dhe pa partnerë të fortë, as ligji ndërkombëtar nuk funksionon,” tha Zelensky para liderëve botërorë në Nju Jork, duke shtuar se pa bashkëpunim global “paqja nuk është e mundur, sepse ajo varet nga të gjithë ne”.
Zelensky theksoi se agresioni rus ka detyruar Ukrainën të ndërtojë “shkolla dhe spitale nëntokësore” për të mbrojtur jetët e qytetarëve, duke paralajmëruar se çdo vit që lufta vazhdon, armët bëhen edhe më vdekjeprurëse, përcjell BBC.
“Çdo vit që kjo luftë vazhdon, armët bëhen edhe më të rrezikshme, dhe vetëm Rusia meriton të fajësohet për këtë,” tha Zelensky.
Ai nënvizoi se është më e lirë të ndalet Putini tani sesa të ndërtohen bunkerë masivë për infrastrukturën kritike më vonë.
Në një apel të drejtpërdrejtë, ai shtoi: “Nëse siguria funksionon për Ukrainën, atëherë do të thotë që njerëzimi arriti ta bëjë sigurinë kombëtare jo një privilegj për disa kombe, por një të drejtë për të gjithë.”
Duke falënderuar Donald Trump për mbështetjen e dhënë në takimin e tyre të fundit, Zelensky u kërkoi liderëve botërorë të flasin hapur kundër Moskës: “Mos qëndroni në heshtje ndërsa Rusia zgjat këtë luftë. Ju lutem, bashkohuni me ne në mbrojtjen e ligjit ndërkombëtar dhe të rendit. Njerëzit po presin veprim.”
Megjithatë, sipas analistëve perëndimorë, një fitore e tillë mbetet ende “një skenar i largët”.
Nga ana tjetër, Kremlini reagoi duke e hedhur poshtë idenë e Trump dhe duke e përshkruar Rusinë si “më shumë ari sesa tigër prej letre”.
Në sesionin e OKB-së foli edhe presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, i cili deklaroi se vendi i tij “nuk po kërkon armë bërthamore”, mes tensioneve në rritje për programin bërthamor të Teheranit.