Vendosni fjalën kyçe....

“Nuk mund të quheni kryetar Kuvendi” – Luan Baçi akuzon Peleshin për ndërprerje të seancës me urdhër të Ramës



Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi, ka mbajtur një fjalim të tensionuar në seancën plenare të Kuvendit, duke akuzuar kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi, për shkelje të rëndë të detyrës dhe veprim nën urdhrat politikë të kryeministrit Edi Rama.

Gjatë ndërhyrjes së tij “për procedurë”, Baçi refuzoi ta quante Peleshi “kryetar Kuvendi”, duke shprehur pakënaqësinë për mënyrën si ishte ndërprerë seanca e mëparshme.

“Mos kujto se mund të më vësh përpara duke qenë në atë karrige aty lart. Do ju drejtohesha si kryetar i Kuvendit, por… mos më ndërpre po të them,” tha Baçi me tone të forta.

Sipas deputetit demokrat, ndërprerja e seancës nga Peleshi ishte bërë me një “ultimatum” të ardhur nga Kryeministria, një veprim që ai e cilësoi si precedent të papranueshëm në drejtimin e Kuvendit.

“Një kryetar Kuvendi që për herë të parë, ndryshe nga paraardhësit tuaj, ndërpret seancën me një ultimatum nga kryeministri, duke i thënë opozitës: ‘Nëse nuk silleni mirë, do e ndërpresim’. Nuk mund të quheni kryetar Kuvendi,” theksoi Baçi.

Ai hodhi poshtë edhe pretendimin e kreut të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i cili deklaroi se të drejtën për të diskutuar për procesverbalin e seancës e kanë vetëm ata që kanë folur më herët në të.

“Zoti Balla thotë se kush ka folur në seancën e parë mund të flasë për procesverbalin, por kush foli në atë seancë? Ne kemi të drejtë të gjithë të flasim për atë procesverbal, sepse pasqyron realitetin e munguar të asaj dite,” u shpreh Baçi.

Deputeti demokrat ngriti gjithashtu shqetësime lidhur me problematikat në furnizimin me ujë të pijshëm, duke kërkuar që ministrja Belinda Balluku të ishte e pranishme për të dhënë shpjegime.

“Flisni për ujin e pijshëm, por do doja të ishte ministrja Balluku këtu. Është shumë serioze kjo që do them,” deklaroi ai, pak para se t’i ndërpritej fjala nga kryetari i Kuvendit.

Seanca vijoi mes tensioneve dhe ndërprerjeve, ndërsa përplasjet mes mazhorancës dhe opozitës duket se janë në rritje në nisje të sesionit të ri parlamentar.