Nvidia do investojë deri në 100 miliardë dollarë te OpenAI dhe do e furnizojë atë me çipa për qendrat e të dhënave, thanë kompanitë duke shënuar një bashkim midis dy prej lojtarëve më të profilit të lartë në garën globale të inteligjencës artificiale.
Ky veprim nënvizon interesat gjithnjë e më të mbivendosura të gjigantëve të ndryshëm të teknologjisë që zhvillojnë sisteme të përparuara të inteligjencës artificiale. Marrëveshja i jep prodhuesit të çipave Nvidia një pjesëmarrje financiare në kompaninë më të shquar të inteligjencës artificiale në botë, e cila është tashmë një klient i rëndësishëm, shkruan Reuters.
Në të njëjtën kohë, investimi i jep OpenAI paratë dhe qasjen që i nevojitet për të blerë çipa të përparuar që janë çelësi për të ruajtur mbizotërimin në një peizazh gjithnjë e më konkurrues. Rivalët e të dy kompanive mund të jenë të shqetësuar se partneriteti do minojë konkurrencën.
Marrëveshja do të përfshijë dy transaksione të ndara, por të ndërthurura, sipas një personi pranë OpenAI. Nvidia do fillojë të investojë në OpenAI për aksione pa të drejtë vote sapo marrëveshja të përmbyllet, pastaj OpenAI mund të përdorë paratë për të blerë çipat e Nvidia-s, tha personi.
“Gjithçka fillon me llogaritjen,” tha kreu i OpenAI, Sam Altman, në një deklaratë.
“Infrastruktura kompjuterike do jetë baza për ekonominë e së ardhmes dhe ne do e përdorim atë që po ndërtojmë me Nvidia-n për të krijuar përparime të reja në IA dhe për t’i fuqizuar njerëzit dhe bizneset me to në shkallë të gjerë.”
Sipas marrëveshjes së re, sapo të dyja palët të arrijnë një marrëveshje përfundimtare që OpenAI të blejë sistemet Nvidia, Nvidia do investojë fillimisht 10 miliardë dollarë, tha personi i njohur me çështjen. OpenAI u vlerësua së fundmi në 500 miliardë dollarë.
Nvidia do fillojë të furnizojë pajisje që në fund të vitit 2026, me gigavatin e parë të fuqisë llogaritëse që do vendoset në gjysmën e dytë të atij viti në platformën e saj të ardhshme, të quajtur Vera Rubin.
Analistët thanë se marrëveshja ishte pozitive për Nvidia-n, por shprehën gjithashtu shqetësime nëse disa nga dollarët e investimeve të Nvidia-s mund të kthehen në të në formën e blerjeve të çipave.
