
Nga konferenca “Shqipëria, Horizonti i Ri” e zhvilluar në Vjenë, Kryeministri Edi Rama dha dy mesazhe të forta për investitorët dhe të ardhmen e vendit.
Kreu i qeverisë ftoi biznesmenët e huaj të blejnë prona në Shqipëri, duke paralajmëruar se pas anëtarësimit në Bashkimin Europian çmimet e apartamenteve e tokave do të rriten ndjeshëm.
“Ajo që do t’u thosha të gjithëve që kanë shumë para, t’i shpenzoni duke blerë prona në Shqipëri. Do të jetë investim shumë i mirë, sepse çmimet do rriten akoma më shumë edhe kur të bëhemi shtet anëtar i BE. Blini një apartament në Tiranë, prisni pak vite dhe e shisni me çmim dyfish,” tha Rama.
Sa i përket turizmit, ai theksoi se sezoni tashmë është zgjatur, por mbetet sfidë që të shtrihet gjatë gjithë vitit.
“Vetë investuesit mund të bëjnë më shumë në këtë drejtim, duke ndihmuar që edhe pensionistët europianë të vijnë e të kalojnë më shumë kohë në Shqipëri,” u shpreh kreu i qeverisë.
Rama foli edhe për energjinë, duke theksuar se objektivi është që Shqipëria të arrijë sovranitet të plotë energjetik përpara vitit 2030.
Ai kujtoi gjendjen e rëndë të sektorit në vitin 2013, por tha se tashmë janë në zhvillim investime të mëdha në energjinë diellore, të erës dhe teknologjitë e reja.
“Kemi shumë burime të reja që janë vënë në funksion apo do të vihen në funksionim. Më shumë se 10% e energjisë sonë tani prodhohet nga dielli dhe synimi është ta çojmë deri në afro 30%. Jemi shumë të besueshëm që do arrijmë sovranitet të plotë përpara vitit 2030, duke prodhuar të gjithë energjinë që na duhet pa pasur nevojë për import,” deklaroi Rama, duke nënvizuar edhe marrëveshjet me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Italinë për investime dhe eksport energjie drejt BE-së.