Vendosni fjalën kyçe....

Rama në Vjenë: Kapitulli i mjedisit më sfiduesi, kemi rënë dakord për shtyrjen përtej datës së anëtarësimit në BE


Kryeministri Edi Rama po merr pjesë në Konferencën “Shqipëria, Horizonti i ri” që po zhvillohet në Vjenë, ku foli për ecurinë e procesit të integrimit europian dhe sfidat që e shoqërojnë.

Rama tha se negociatat me Bashkimin Europian po ecin me një shpejtësi të pazakontë, falë meritave të Shqipërisë dhe qasjes së re të BE-së pas luftës në Ukrainë.

“Jemi në një proces që ka përparuar shumë, praktikisht po çelim kapitujt e negociatave me një shpejtësi që nuk është parë ndonjëherë më parë gjatë procesit të anëtarësimit, por kjo është kombinim i meritës tonë dhe qasjes së re të BE ndaj zgjerimit. Falë asaj që kemi bërë dhe asaj që ka bërë Putini, jemi aktualisht në një proces tejet të intensifikuar të anëtarësimit dhe jam shpresëplotë se do të ndodhë më herët sesa vonë. Plani i dakordësuar me Komisionin është përfundimi i pjesës teknike deri në fund të vitit 2027,” tha ai.

Kreu i qeverisë bëri të ditur se Shqipëria ka rënë dakord paraprakisht me Komisionin Europian për shtyrjen e plotësimit të kushteve të kapitullit të mjedisit përtej datës së anëtarësimit.

“Procesi ka një lloj elasticiteti, që do të thotë vendet mund të negociojnë një shtyrje përtej datës së anëtarësimit. Kroacia, për shembull, negocioi 10 vjet shtyrje për kapitullin e mjedisit, që është shumë kërkues edhe për vendet anëtare. Ne kemi rënë dakord tashmë për një shtyrje, dhe kjo do të jetë sfidë,” u shpreh Rama.