
Ministrat e Mbrojtjes së Europës Qendrore u mblodhën në Bratislavë, kryeqytetin e Sllovakisë, në një moment të ndjeshëm për sigurinë e kontinentit.
Shqipëria u përfaqësua nga ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, i cili theksoi se vendi ynë është i vendosur për të forcuar kapacitetet mbrojtëse dhe për të kontribuar në stabilitetin rajonal.
Në postimin e bërë nga Ministria e Mbrojtjes, theksohet se: “Me 500+ trupa në misionet e NATO-s & BE-së, me investime në industrinë tonë të mbrojtjes (municione, dronë, artileri, mjete të blinduara etj.), në infrastrukturën kritike dhe me forcimin e mbrojtjes civile, Shqipëria dëshmon se është një ndërtuese stabiliteti dhe sigurie në rajon.”
Gjatë fjalës së tij, Vengu vuri në dukje se fuqizimi i mbrojtjes së Shqipërisë ecën paralelisht me procesin e integrimit europian.
Ai shprehu gjithashtu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të partnerëve.
“Shqipëria është e palëkundur në rrugën e forcimit të mbrojtjes dhe falënderoj të gjithë homologët e Europës Qendrore për mbështetjen e tyre të qëndrueshme,” deklaroi ministri.
Takimi i Bratislavës shënoi një moment të rëndësishëm koordinimi mes vendeve të rajonit, duke nënvizuar nevojën për bashkëpunim të ngushtë përballë sfidave të sigurisë në Europë.