
Komunitetet kryesore fetare në Shqipëri shprehen kundërshtimin e tyre ndaj projektligjit “Për barazinë gjinore”, i cili pritet të miratohet në Kuvend. Në një deklaratë të përbashkët, përfaqësuesit e Komunitetit Mysliman, Kishës Ortodokse, Kishës Katolike, Kryegjyshatës Botërore Bektashiane dhe Vëllazërisë Ungjillore shprehin shqetësim për disa nene dhe përkufizime të ligjit, duke theksuar se bien ndesh me parimet teologjike dhe traditën e familjes shqiptare.
Në qendër të kritikave është përkufizimi i termit “gjini” si koncept gjithëpërfshirës, si dhe përdorimi i nocioneve “identitet gjinor” dhe “shprehje gjinore”, të cilat sipas tyre krijojnë paqartësi ligjore dhe hapësira për keqinterpretim.
Komunitetet fetare theksojnë rëndësinë e familjes tradicionale të bazuar mbi dy gjinitë biologjike – burrë dhe grua – dhe kërkojnë që ligji të përkufizojë qartë gjininë si atë të përcaktuar në lindje. Ata gjithashtu theksojnë mbështetjen e tyre për përafrimin e legjislacionit shqiptar me direktivat e Bashkimit Evropian, duke shtuar se shumica e vendeve anëtare ruajnë përkufizimin binar burrë-grua.
Në reagim ndaj kësaj, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike dorëzoi në Kryesinë e Kuvendit një projektligj që synon të përcaktojë qartë njohjen e vetëm dy gjinive, burrë dhe grua, të përcaktuara që në lindje.
Përfaqësuesit fetarë i bëjnë thirrje institucioneve që të marrin në konsideratë shqetësimet e tyre para miratimit të projektligjit.