Vendosni fjalën kyçe....

Hungaria refuzon të ndalë blerjen e naftës ruse


Hungaria nuk do të heqë dorë nga furnizimet me energji nga Rusia, ka deklaruar ministri i Jashtëm Péter Szijjártó për The Guardian, pavarësisht kërkesës së Donald Trump që aleatët e NATO-s të ndalojnë importet e naftës ruse.

Nuk mund të sigurojmë furnizimin e sigurt për vendin pa burimet e naftës apo gazit rus,” tha Szijjártó gjatë një interviste në margjina të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. “Është ëndërr e bukur të mendosh se mund të blejmë diku tjetër, por ne mund të blejmë vetëm aty ku kemi infrastrukturë. Dhe nëse shikon realisht infrastrukturën, është e qartë që pa furnizimet ruse është e pamundur të garantohet siguria energjetike.

Deklaratat e tij erdhën pasi Trump kushtëzoi vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Rusisë me shkëputjen e NATO-s nga energjia ruse, përcjell The Guardian.

Jam gati të vendos sanksione të mëdha ndaj Rusisë kur të gjitha vendet e NATO-s të ndalojnë së bleri naftë nga Rusia,” shkroi ai javën e kaluar në Truth Social.

Hungaria dhe Sllovakia, që furnizohen kryesisht përmes naftës së sjellë nga tubacioni Druzhba, kanë qenë dy vendet më rezistente ndaj thirrjeve për të ndaluar importet ruse.

Kryeministri Viktor Orbán, një prej aleatëve më të afërt ideologjikë të Trump në Europë, ka ruajtur marrëdhënie të mira me Moskën, duke kritikuar shpesh Ukrainën.

Nga ana tjetër, liderë europianë kanë shtuar presionin ndaj Budapestit.

Presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, tha se “Trump ka të drejtë kur thotë që Europa duhet të ndalë blerjen e naftës dhe gazit rus. Është koha që Hungaria dhe Sllovakia të bëjnë këtë hap.

Ndërsa ministri i Jashtëm i Polonisë, Radosław Sikorski, i bëri thirrje Orbánit që të dëgjojë Trumpin dhe të gjejë alternativa furnizimi “nga jugu”.

Szijjártó, megjithatë, hodhi poshtë këto thirrje, duke i quajtur zyrtarët e Europës Perëndimore “fanatikë” dhe duke thënë se “është krejtësisht e pamundur të zhvillohet një dialog racional dhe i bazuar në fakte” me ta.

Ai shtoi se marrëdhëniet me SHBA janë përmirësuar dukshëm: “Sot SHBA është mike. Të kesh presidentin amerikan si mik është diçka krejt ndryshe, ndërkohë që presioni që vjen nga Brukseli është shumë i ashpër.