Vendosni fjalën kyçe....

Veliaj kundërshton procedurën e shkarkimit: S’jam informuar zyrtarisht, më mohohet e drejta për t’u mbrojtur


Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, ka reaguar ndaj shkresës së Këshillit Bashkiak, duke theksuar se nuk është njoftuar zyrtarisht për mbledhjen ku do të shqyrtohet shkarkimi i tij dhe se po i mohohet e drejta për mbrojtje.

Në përgjigjen e tij zyrtare, Veliaj thekson se dokumenti i firmosur nga Sekretari i Këshillit Bashkiak nuk përmban vendimmarrje të organeve përkatëse dhe shkel parimet kushtetuese.

“Sekretari i Këshillit Bashkiak nuk mund të marrë përsipër rolin e një organi kolegjial. Çdo komunikim i Këshillit që shkon përtej funksioneve teknike e administrative, përbën tejkalim të kompetencës dhe cenim të parimit të ndarjes së funksioneve,” shkruan Veliaj.

Ai shton se Sekretari i Këshillit ka rol thjesht administrativ – duke u kufizuar në shpërndarjen e materialeve, njoftimeve dhe protokollimin – dhe nuk ka tagër ligjor për të dhënë udhëzime mbi mënyrën e realizimit të së drejtës për mbrojtje.

Në vijim, kryebashkiaku nënvizon se në një procedurë që mund të përfundojë me shkarkim, e drejta e tij për t’u dëgjuar është themelore:

“Kjo e drejtë nuk mund të mjaftohet në një njoftim formal të sekretarit të Këshillit Bashkiak, lidhur me mundësinë potenciale për të sjellë një mbrojtje me shkrim,” përfundon Veliaj.

Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj: Në përgjigje të shkresës suaj, me firmën e Sekretarit të Këshillit Bashkiak, evidentojmë se nuk përmban vendimmarrjen me votim të Këshillit Bashkiak, lidhur me garantimin e të drejtave Kushtetuese të kryetarit të Bashkisë në procedurën e shkarkimit, të iniciuar ndaj tij si organi që ka kompetencën për të vendosur mbi praninë, dëgjimin dhe mbrojtjen e Kryetarit të Bashkisë.

Sekretari i Këshillit Bashkiak nuk mund të marrë përsipër rolin e një organi kolegjial. Çdo komunikim i Këshillit Bashkiak, që shkon përtej funksioneve teknike e administrative, përbën tejkalim të kompetencës dhe cenim të parimit të ndarjes së funksioneve. Sekretari është një funksion administrativ, jo organ politik dhe as vendimmarrës, në këtë procedurë. Kompetencat e tij kufizohen në sigurimin e infrastrukturës organizative të mbledhjes, shpërndarjen e materialeve dhe njoftimeve, protokollimin dhe mbajtjen e proces-verbaleve. Ai nuk ka asnjë tagër ligjor, të japë udhëzime, mbi mënyrën e realizimit të së drejtës për të dëgjuar apo interpretuar kërkesat e kryetarit. Në një procedurë që mund të përfundojë me shkarkimin e kryetarit, e drejta për t’u dëgjuar e kryetarit të Bashkisë është thelbësore. Kjo e drejtë nuk mund të mjaftohet në një njoftim formal të sekretarit të Këshillit Bashkiak, lidhur me mundësinë potenciale për të sjellë një mbrojtje me shkrim.