Vendosni fjalën kyçe....

Turqia heq tarifat ndaj disa produkteve të SHBA-së



Ministria turke e Tregtisë njoftoi më 22 shtator se Turqia ka hequr tarifat shtesë doganore ndaj disa produkteve amerikane, përfshirë pijet alkoolike, veturat, duhanin dhe produktet kozmetike, përcjell REL.

Këto tarifa ishin vendosur në vitin 2018 si kundërpërgjigje ndaj tarifave amerikane për çelikun dhe aluminin, në përputhje me rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT). Ministria tha se vendimi vjen pas “përparimit pozitiv në negociatat me SHBA-në” dhe konsultimeve përmes mekanizmave të OBT-së.

Sipas autoriteteve turke, marrëdhëniet ekonomike mbeten një shtyllë kyçe e dialogut strategjik mes Ankarasë dhe Uashingtonit, me një objektiv të përbashkët për të arritur 100 miliardë dollarë në tregti dypalëshe.

Ky vendim vjen në prag të një takimi të rëndësishëm mes presidentit turk Recep Tayyip Erdogan dhe presidentit amerikan Donald Trump, që do të mbahet këtë javë në Shtëpinë e Bardhë, pas pjesëmarrjes së tyre në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në New York.