Vendosni fjalën kyçe....

Trump: Murdoch pjesë e grupit që do marrin përsipër TikTok-un në SHBA


Manjati i medias amerikane Rupert Murdoch dhe djali i tij Lachlan ka të ngjarë t’i bashkohen një grupi investitorësh që do marrin përsipër operacionet amerikane të TikTok, tha Presidenti i SHBA-së Donald Trump.

Ai gjithashtu emëroi bashkëthemeluesin e Oracle, Larry Ellison, dhe drejtorin ekzekutiv të Dell Technologies, Michael Dell, si pjesë të marrëveshjes, e cila synon të parandalojë ndalimin e aplikacionit të njohur kinez për ndarjen e videove në SHBA.

Në një intervistë me ‘The Sunday Briefing’ të Fox News të transmetuar në fundjavë, Trump i përshkroi investitorët e mundshëm si njerëz të shquar dhe “patriotë amerikanë”.

“Ata janë njerëz shumë të njohur. Larry Ellison është njëri prej tyre. Ai është i përfshirë. Ky djalë i shkëlqyer, Michael Dell, është i përfshirë. Nuk dua t’ua them këtë, por një burrë i quajtur Lachlan është i përfshirë. A e dini kush është Lachlan? Ky është një emër shumë i pazakontë, Lachlan Murdoch”, tha presidenti. Ai shtoi se Rupert Murdoch “ndoshta do jetë në grup”.

Zbulimi vjen pas një marrëveshjeje kornizë të arritur javën e kaluar midis Uashingtonit dhe Pekinit, që synonte ta mbante TikTok funksional në SHBA. Aplikacioni, në pronësi të firmës kineze ByteDance, ka qenë nën një ndalim mbarëkombëtar që nga 19 janari 2025, pasi kompania e tij mëmë humbi një afat për shitjen e pronësisë.

Ligjvënësit amerikanë argumentuan se të dhënat e përdoruesve mund të aksesoheshin nga Pekini, duke mundësuar potencialisht fushata mbikëqyrjeje ose ndikimi, shkruan Rt.

Trump e shtyu ndalimin disa herë ndërsa bisedimet me Kinën vijuan. Afati më i fundit ishte 17 shtatori. Sipas marrëveshjes së pritur, asetet e TikTok në SHBA do ishin në pronësi shumicë nga investitorë vendas dhe do mbikëqyreshin nga një bord me kredenciale sigurie kombëtare. ByteDance thuhet se do mbante më pak se 20% të sipërmarrjes.

Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha se marrëveshja do siguronte që “TikTok do jetë në pronësi shumicë nga amerikanët në Shtetet e Bashkuara”.

Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë nuk sqaroi nëse Lachlan Murdoch do merrte një vend në bord. NBC Neës tha se ai nuk do përfshihej drejtpërdrejt, megjithëse Fox Corp. mund të luante një rol. Më herët këtë muaj, Lachlan Murdoch mori zyrtarisht kontrollin e Fox Corp. dhe Neës Corp., ndërsa Rupert Murdoch mbetet qendror në perandorinë mediatike të familjes.