
Presidenti rus Vladimir Putin i ka propozuar homologut të tij amerikan, Donald Trump, një marrëveshje për të zgjatur me një vit marrëveshjen e fundit që kufizon arsenalet bërthamore të dy vendeve, e cila skadon më 5 shkurt 2026.
Putin deklaroi se Rusia është e gatshme të respektojë kufijtë kryesorë të vendosur nga traktati New START edhe pas afatit të tij, me kusht që edhe SHBA të veprojë në të njëjtën mënyrë.
“Rusia është e përgatitur të vazhdojë t’i përmbahet kufijve qendrorë numerikë të traktatit New START për një vit pas datës 5 shkurt 2026. Më pas, bazuar në një analizë të situatës, do të vendosim nëse do të ruajmë këto kufizime vullnetare,” tha Putin gjatë një mbledhjeje të Këshillit të Sigurisë, përcjell Reuters.
Ai theksoi se masa do të ketë kuptim vetëm nëse SHBA nuk ndërmerr hapa që, sipas tij, “cenojnë ose shkelin ekuilibrin ekzistues të kapaciteteve frenuese.”
Propozimi vjen në një kohë kur Trump i ka kërkuar Putinit t’i japë fund luftës në Ukrainë, ndërsa Kievi po përpiqet ta bindë Uashingtonin të vendosë sanksione më të ashpra ndaj Moskës.
Traktati New START, i nënshkruar në vitin 2010, kufizon numrin e kokave bërthamore të vendosura në maksimum 1,550 për secilën palë. Pa zgjatjen ose zëvendësimin e tij, Rusia dhe SHBA pritet ta tejkalojnë këtë kufi.
Putin paralajmëroi gjithashtu se Moska do të monitorojë me kujdes aktivitetet amerikane në fushën bërthamore dhe mbrojtjes raketore, duke përfshirë planet për dislokimin e mbrojtjes raketore në hapësirë.
“Zbatimi praktik i veprimeve destabilizuese mund të asgjësojë përpjekjet tona për ruajtjen e status quo-së në fushën e traktatit START. Ne do të përgjigjemi në përputhje me rrethanat,” shtoi ai.
Nga ana amerikane nuk ka ende një reagim zyrtar lidhur me ofertën e Putinit.