
Këshilli Bashkiak i Tiranës i ka dërguar një letër kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili qëndron në paraburgim që prej 10 shkurtit, duke i ofruar mundësinë që të dërgojë me shkrim pretendimet e tij për mbledhjen ku do të diskutohet shkarkimi i tij.
Letra vjen pas kërkesës së Veliajt për të dëgjuar para se të merrej vendimi, ndërsa deri tani Drejtoria e Burgjeve nuk ka marrë ende kërkesë nga avokatët e tij, raporton ReportTV.
“Sa më sipër, në vijim të kërkesës suaj për të qenë i pranishëm fizikisht në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, në rast pamundësie për të qenë prezent, Ju lutem që observacionet tuaja t’i përcilini me shkrim pranë Këshillit Bashkiak, në mënyrë që ato të administrohen dhe të bëhen me dije në këtë mbledhje”, thuhet në letrën dërguar Veliajt.
Komisioni i Ligjeve në Bashkinë e Tiranës do të mblidhet nesër në orën 10:00 për të shqyrtuar kërkesën e këshilltarëve socialistë për shkarkimin e kryebashkiakut, ndërsa në orën 16:00 pritet mbledhja e Këshillit Bashkiak.
Këshilltarët socialistë bazohen në nenin 62, gërma C, të Ligjit 139/2015 për Vetëqeverisjen Vendore, që parashikon shkarkimin për mosparaqitje në detyrë për të paktën 3 muaj.
Vendimmarrja për t’i propozuar qeverisë shkarkimin e kryebashkiakut do të duhet të marrë votën e shumicës së të gjithë këshilltarëve, pra 31 pro nga 61 anëtarë gjithsej.
Pas votimit, vendimmarrja i kalon Këshillit të Ministrave përmes Prefektit të Tiranës. Qeveria më pas vendos shkarkimin.
Erion Veliaj qëndron në paraburgim me masë sigurie “arrest në burg” që prej 10 shkurtit 2025, kur u arrestua me urdhër të GJKKO pasi akuzohet nga SPAK për 13 akuza, mes të cilave 9 raste korrupsioni.
