
Ministria e Brendshme ka shkarkuar zëvendësministrin Andi Mahila, pasi ai është kapur duke konsumuar cigare brenda zyrës së shtetit. Ky vendim ka nxitur reagime të forta nga opozita, e cila e konsideron atë si një shfaqje për të fshehur problemet më të mëdha të vendit.
Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, e ka cilësuar vendimin një “teatër” që synon të devijojë vëmendjen nga sfidat reale të Shqipërisë, si droga, trafiku dhe kriminalizimi i institucioneve shtetërore. Ai thekson se qeveria po i shmanget përgjegjësive të saj, duke u fokusuar në çështje të parëndësishme si përdorimi i cigareve në ambientet zyrtare.
Në një postim në rrjetet sociale, Balliu shkruan:
“Qeveria e drogës dhe bandave luan teatër me cigare. Ministria e Brendshme shkarkon zëvendësministrin jo për aferat e krimit, por sepse pinte cigare. Në Shqipëri problemi nuk është cigarja, por droga, trafiku i saj, inkriminimi i institucioneve dhe bashkëpunimi i politikës me krimin e organizuar. Detyra e qeverisë nuk është të bëjë spektakël me cigare, por të sigurojë sigurinë e qytetarëve, që po ulet në mënyrë alarmante.”
Balliu përmend se dhjetëra qytetarë të ndershëm kanë humbur jetën për shkak të përplasjeve të bandave kriminale dhe akuzon qeverinë për dështim në garantimin e sigurisë dhe për bashkëpunim me krimin e organizuar.