Vendosni fjalën kyçe....

Asgjësohen mbi 8 mijë bimë kanabisi, procedohen penalisht 5 kryetarë fshatrash në Shkodër


Policia e Shkodrës ka gjetur dhe asgjësuar 8028 bimë narkotike në njësitë administrative Pult, Shosh, Kelmend dhe Temal.

Për shpërdorim detyre janë proceduar penalisht pesë kryetarë fshatrash, ndërsa vijon puna për identifikimin dhe ndalimin e autorëve të tjerë të përfshirë në kultivim.

Njoftimi:

Qarku Shkodër/Vijon operacioni policor i koduar “Koordinata”, kundër kultivimit të bimëve narkotike.

Gjatë kontrolleve në territor, u gjetën dhe u asgjësuan 8028 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa.

Procedohen penalisht, për shpërdorim të detyrave, 5 kryetarë fshatrash.

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe të komisariateve në varësi vijojnë me intensitet kontrollet në të gjithë territorin e qarkut, në vijim të operacionit policor të koduar “Koordinata”, me qëllim goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike.

Në territorin e njësive administrative Pult dhe Shosh, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër gjetën dhe asgjësuan 7073 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa. Në vijim të veprimeve procedurale, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për kryetarin e fshatit Ndrejaj, shtetasin N. V.; për kryetarin e fshatit Lekaj, shtetasin P. S.; për kryetarin e fshatit Nicaj, shtetasin V. V.; për kryetarin e fshatit Plan, shtetasin N. Sh.; dhe për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskallëzim krimi”, për kryetarin e fshatit Kir, shtetasin P. H.

Në territorin e njësisë administrative Kelmend, shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe gjetën dhe asgjësuan 780 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa.

Në territorin e njësisë administrative Temal, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës gjetën dhe asgjësuan 175 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa.

Vijon puna për identifikimin, kapjen dhe vënien para përgjegjësisë penale të autorëve të kultivimit të bimëve narkotike.

Operacioni antikanabis i koduar “Koordinata” vijon në të gjithë territorin e qarkut Shkodër.