Disa nga aeroportet më të mëdha të Evropës u përballën me ndërprerje të hënën, pasi hakerat shkatërruan sistemet automatike të regjistrimit të ofruara nga Collins Aerospace, në pronësi të RTX, duke prekur dhjetëra fluturime dhe mijëra pasagjerë që nga e premtja.
Ndërprerjet u shkaktuan nga një sulm kibernetik, konfirmoi të hënën agjencia e sigurisë kibernetike e BE-së, duke theksuar rreziqet në rritje të sulmeve të tilla ndaj infrastrukturës dhe industrive kritike, shkruan Reuters.
Qeveritë dhe kompanitë kanë qenë shënjestra e sulmeve kibernetike në muajt e fundit, përfshirë prodhuesin e makinave luksoze “Jaguar”, i cili u detyrua të ndalonte prodhimin për shkak të kësaj.
Collins tha të hënën se po punonte me aeroportet e prekura, duke përfshirë Brukselin dhe Heathroë të Londrës, aeroportin më të ngarkuar të Evropës, dhe ishte në fazat e fundit të përfundimit të përditësimeve për të ndihmuar në rivendosjen e funksionalitetit të plotë.
Aeroporti i Berlinit, i cili po përballej me numër më të lartë pasagjerësh se zakonisht të hënën për shkak të Maratonës së Berlinit, ende nuk i kishte rivendosur sistemet e regjistrimit dhe raportoi vonesa mbi një orë për nisjet.
Aeroporti i Brukselit po përdorte iPad-e dhe laptopë për të regjistruar pasagjerët në internet. Nga afërsisht 550 fluturime nisjeje dhe mbërritjeje, 60 duhej të anuloheshin të hënën, tha ai.
