Vendosni fjalën kyçe....

Opozita izraelite bashkohet në një forum të ri për të ardhmen pas Netanyahut


Udhëheqësit e partive opozitare të Izraelit njoftuan të shtunën se kanë krijuar një forum të përbashkët që synon forcimin e bashkwrendimit politik kundër koalicionit qeverisës dhe përcaktimin e kornizës për një qeveri të ardhshme.

Njoftimi pasoi një takim midis udhëheqësit të opozitës Yair Lapid, kreut të partisë Yisrael Beiteinu Avigdor Lieberman dhe figurave të tjera të opozitës Gadi Eisenkot dhe Yair Golan.

Në një deklaratë të përbashkët pas bisedimeve, udhëheqësit thanë se ranë dakord ta bëjnë Forumin e ri të Udhëheqësve të Partive një organ të përhershëm dhe ta mbajnë seancën e tij të radhës menjëherë pas Yom Kippur – Ditës Hebraike të Shlyerjes, e cila fillon në mbrëmjen e së mërkurës, 1 tetor dhe përfundon në mbrëmjen e së enjtes, 2 tetor.

Sipas deklaratës, forumi do krijojë një komitet të ngarkuar me hartimin e parimeve kryesore të një qeverie të ardhshme, shkruan AA.

Këto parime do përfshijnë përgatitjen e një kushtetute të re, zbatimin e parimit të shërbimit universal dhe ruajtjen e karakterit të Izraelit si një shtet “hebre, demokratik dhe sionist”.

Udhëheqësit e opozitës thanë gjithashtu se ish-kryeministri Naftali Bennett dhe udhëheqësi i partisë Blu e Bardhë Benny Gantz pritet të bashkohen në takimin e ardhshëm të forumit.

Deklarata nënvizoi se qëllimi kryesor i nismës është të “forcojë radhët brenda opozitës në përgatitje për fazën e ardhshme politike”.