
Shefi në largim i shërbimit të inteligjencës së jashtme britanike, MI6, Richard Moore, deklaroi të premten se nuk ka “absolutisht asnjë provë” që presidenti rus Vladimir Putin dëshiron të negociojë fundin e pushtimit të Ukrainës.
“Putini po na zvarrit. Ai kërkon të imponojë vullnetin e tij imperial me çdo mjet në dispozicion. Por nuk mund të ketë sukses. Thënë troç, Putini ka kafshuar më shumë seç mund të përtypë. Ai mendoi se do të fitonte një betejë të lehtë, por ai dhe shumë të tjerë, nënvlerësuan ukrainasit,” tha Moore në një konferencë për shtyp në Konsullatën Britanike në Stamboll, përcjell Euronews.
Moore theksoi se pushtimi i plotë i vitit 2022, tashmë në vitin e katërt të luftës, vetëm ka forcuar identitetin kombëtar të Ukrainës, e ka shtyrë më afër Perëndimit dhe ka nxitur anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO.
“Putini ka tentuar ta bindë botën se fitorja ruse është e pashmangshme. Por ai gënjen. Gënjen botën. Gënjen popullin e vet. Ndoshta gënjen edhe veten,” shtoi kreu i MI6.
Ai e akuzoi Putinin se po “hipotekon të ardhmen e vendit të tij për një trashëgimi personale dhe një version të shtrembëruar të historisë” dhe paralajmëroi se lufta vetëm sa po përshpejton rënien e Rusisë.
Moore përdori një krahasim me shkencëtarin rus Ivan Pavlov, duke thënë se “një telefonatë nga presidenti rus është si kambanorja e Pavlovit brenda Kremlinit, që nxit sjellje të mësuar për t’i thënë Putinit vetëm atë që sistemi mendon se ai dëshiron të dëgjojë”.
Deklaratat e tij vijnë në një moment kur Ukraina ka pranuar propozime për armëpushim dhe samit paqeje, por Moska deri tani ka mbetur jopërkushtuese.
Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Trump tha gjatë vizitës së tij në Britani të Madhe këtë javë se Putini “më ka zhgënjyer vërtet” në përpjekjet për paqe.
Moore, që largohet në fund të shtatorit pas pesë vitesh në krye të MI6, do t’ia lërë detyrën Blaise Metreweli, që do të bëhet gruaja e parë në krye të shërbimit sekret britanik.
Në fund të fjalës së tij, shefi i MI6 prezantoi platformën e re të shërbimit, të quajtur Silent Courier, një portal në “dark web” për rekrutimin e burimeve të reja të inteligjencës.
“Për ata burra e gra në Rusi që kanë të vërteta për të ndarë dhe guxim për ta bërë këtë, i ftoj të kontaktojnë MI6,” tha Moore, duke shtuar se platforma është e hapur për këdo, kudo në botë, që ka informacion mbi terrorizmin apo veprimtari armiqësore të inteligjencës.