Vendosni fjalën kyçe....

India paralajmëron për pasoja humanitare nga tarifa e re amerikane për vizat e punës


Qeveria indiane ka reaguar ashpër ndaj vendimit të presidentit amerikan Donald Trump për vendosjen e një tarife të re prej 100 mijë dollarësh për aplikimet për vizat e punës H-1B, duke e cilësuar atë si një masë me pasoja humanitare.

Në një deklaratë të publikuar nga Ministria e Jashtme indiane të shtunën, u theksua se tarifa e re “do të shkaktojë pasoja humanitare përmes ndërprerjes që u krijon familjeve” dhe se qeveria indiane “shpreson që këto shqetësime të adresohen në mënyrë të përshtatshme nga autoritetet amerikane”.

Tarifa e re, e cila hyn në fuqi më 21 shtator, është mbi 60 herë më e lartë se pagesa aktuale prej 1,500 dollarësh për aplikimet, përcjell BBC.

Ajo prek në mënyrë të veçantë punëtorët nga India, të cilët përbëjnë mbi 70% të vizave të këtij programi.

Sipas të dhënave të Pew Research Center, në vitin 2024 u miratuan afro 400 mijë viza H-1B, nga të cilat 260 mijë ishin rinovime.

Amazon ishte kompania me më shumë viza të aprovuara në gjysmën e parë të vitit 2025 (10,044), e ndjekur nga gjiganti indian Tata Consultancy Services (TCS) me 5,505.

Vendimi i Shtëpisë së Bardhë u justifikua me argumentin se programi po abuzohej për të ulur pagat e amerikanëve dhe për të zhvendosur punët e sektorit të teknologjisë jashtë vendit. Megjithatë, urdhri presidencial lejon përjashtime “rast pas rasti” nëse konsiderohen në interes kombëtar.

Pas njoftimit, disa kompani të mëdha amerikane si Amazon, Microsoft dhe JP Morgan këshilluan punonjësit e tyre me vizë H-1B që të mos udhëtonin jashtë SHBA-së ose të ktheheshin menjëherë në vend, për të shmangur pasigurinë për hyrjen e tyre pas datës së vendosur.

Organizata indiane e industrisë së teknologjisë Nasscom paralajmëroi se ndryshimi kaq i madh në një afat kaq të shkurtër “ka krijuar pasiguri të konsiderueshme për bizneset, profesionistët dhe studentët në mbarë botën”.

Reagimi i Indisë vjen gjithashtu në një kohë tensionesh tregtare mes dy vendeve, pas vendimit të Trump për të vendosur tarifa ndëshkuese mbi Indinë për shkak të blerjes së naftës ruse.

Ministri indian i Tregtisë, Piyush Goyal, pritet të vizitojë SHBA-në të hënën për bisedime tregtare.