
Një vatër e fuqishme zjarri është regjistruar këtë fundjavë në fshatin Bulçar, Njësia Administrative Kodovjat, në Bashkinë e Gramshit, duke rikthyer skena dramatike të ngjashme me ato të gushtit, kur zjarret shkaktuan dëme të mëdha në pyje, banesa dhe bagëti.
Raportimet nga terreni tregojnë se flakët shpërthyen në orët e para të së shtunës, duke përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme me masive pyjore.
Një pjesë e zjarrit është izoluar mbrëmjen e së shtunës, por vatra mbetet ende aktive dhe situata paraqitet e vështirë për shkak të terrenit malor dhe erës së fortë.
Shefi i Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit në Bashkinë e Gramshit, Ilir Llapushi, tha se është punuar pa ndërprerje nga forcat zjarrfikëse, punonjës të bashkisë dhe vullnetarë, por flakët kanë qenë shumë të vështira për t’u kontrolluar.
“Gjatë gjithë së shtunës është punuar pa ndërprerje në terren me forcat zjarrfikëse, punonjës të bashkisë dhe vullnetarë, por për shkak të erës dhe temperaturave të larta, zjarri ka qenë shumë aktiv dhe i vështirë për t’u kontrolluar,” deklaroi Llapushi.
Autoritetet vendore i kanë bërë thirrje strukturave qendrore për ndihmë shtesë, me qëllim frenimin e përhapjes së flakëve dhe mbrojtjen e banesave si dhe sipërfaqeve me rëndësi ekonomike e mjedisore.