Vendosni fjalën kyçe....

Programi i Qeverisë dhe zgjerimi i ekonomisë flluskë


Nga Irena Beqiraj

Programi ekonomik nuk u diskutua dje ne parlament.

Por dokumenti i shkruar rradhiste si arritje, rritjen ekonomike (megjithëse modeste), uljen e borxhit, rritjen pagave, apo të ardhurave nga turizmi, si treguesit kryesor për të  argumentuar që ekonomia ka ecur mirë.

Ndërkohë si tek analiza e arritjeve, ashtu edhe tek premtimet, anashkalohej fakti që sot kemi një   ekonomi “fluskë ” dhe të paqëndrueshme në afat të gjatë.

Elementi i parë është hendeku midis rritjes së pagave reale dhe rritjes së produktivitetit. Banka Botërore tregon se në Shqipëri, nga periudha 2015-2023 pagat reale janë rritur ndërsa produktiviteti ka rënë më shumë se në çdo vend tjetër të Ballkanit Perëndimor.

Rritja e pagës minimale edhe rritja e mëtejshme e pagave në sektorin publik, e pashoqëruar me rritjen e produktivitetit, rrit kostot e ofrimit të shërbimeve dhe produkteve. Në një ekonomi jokonkurruese, ku edhe tregjet  e produkteve bazë janë oligopol, rritja e mëtejshme e pagave pa rritje të produktivitetit do reflektohet tek rritja e mëtejshme e çmimeve duke ulur më tej mirëqenien e shqiptarëve.

Ulja e produktivitetit lidhet me zgjerimin e sektorëve me produktivitet të ulët. Ndërsa sektorët me produktivitet të ulët si  tregtia, turizmi e shërbimet njohin rritje, sektorët  me produktivitet te lartë si industria prodhuese edhe energjitike vazhdojnë rënien pikiatë. Në tremujorin e dytë të 2025-ës, industria prodhuese ka shënuar rënie ne volum me 7.5% edhe në punësim 3.2%, ndërsa ajo energjitike ka renë 5.2% ne volum edhe 2.6 % ne punësim.

E pra, konkluzioni i parë edhe fatkeqësisht i pakundështueshëm është që në 12 vjet socialistët në vend ta përmirësonin e përkeqësuan parametrin kryesor të qëndrueshmërisë ekonomike, produktivitetin dhe hendekun e tij me pagën mesatare. Ndërkohë që çdo rritje e mëtejshme e pagës minimale për të joshur 351 mijë votuesit që paguhen me paga minimale, pa adresuar rritjen e produktivitetit do të ulë mirëqënien duke zgjeruar më tej ekonominë flluskë.

Elementi i dytë është mbivlerësimi i lekut. Edhe në këtë rast ecuria e produktivitetit është elementi i cili përcakton nëse leku ka pësuar vlerësimin e merituar  apo është i mbivlerësuar. Vlerësimi dhe mbivlerësimi janë dy koncepte ekonomike të ndryshme nga njëri-tjetri. Për të dhënë këtë gjykim shikohet diferenca midis:

1 – Kursit të këmbimit që balancon ofertën dhe kërkesën për monedhë të huaj në tregjet financiare vendase

2 – Ekuilibrit industrial të kursit te këmbimit, i cili përcaktohet nga raporti i produktivitetit të ekonomisë shqiptare me produktivitetin e ekonomisë europiane apo partnerëve tregtare në mënyrë që të ruhet konkurrueshmëria e prodhimit vendas në tregjet kombëtare dhe ndërkombëtare.

Pra, kur monedha forcohet ndërsa produktiviteti ulet do të thotë se forcimi i lekut nuk mbështetet tek  ekonomia reale.

Kjo ka ndodhur sepse hyrjet e kapitalit të huaj në euro janë investuar në sektorë kjo produktivë.

Konkluzioni i dytë. Kur flukset e huaja te kapitalit nuk shoqërohen me rritjen e produktivitetit, ato thjesht rrisin ajrin e nxehtë në flluskë.

Mbivlerësimi të lekut bën që borxhi i huaj sot duket më i ulët, prodhimi brendshëm bruto duket më i lartë, pagat duken më të larta dhe që inflacioni mbahet lehtësisht nën kontroll. Por mosneutralizimi i këtij mbivlerësimi shkakton ulje të mëtejshme të produktivitetit të ekonomisë duke fryrë më tej ekonominë flluskë.

Elementi i tretë vjen nga të dhënat e stukturës së ndërmarrjeve.

Nëse ekonomia e vendit popullohet nga mikrondërmarrjet, ndërsa numri i ndërmarrjeve me më shumë se 50 punëtorë është i kufizuar (në Shqipëri 1%) tregon se produktiviteti nuk ka gjasa të rritet pa një politikë të targetuar afatgjatë e të mbështetur financiarisht nga qeveria, që synon trasformimin teknologjik.

Edhe kjo nuk nëkupton hapjen edhe mbylljen e negociatave, as uljen e taksave, as amnistinë e pagëzuar “si paqja fiskale”, as bonusin e bebeve, as rritjen e pensioneve, aq më pak rritjen e mëtejshme të pagës minimale.

Dje edhe sot në Parlament, në emisionet televizive duhet te flitej pikërisht për këto probleme, por jo vetëm. Duhet te flitej për ndryshimet në Kodin Penal, Kodin e Familjes, Kodin Zgjedhor. Duhej të flitej për çfarë u intereson qytetarëve.

Nderkohë u informuam dhe u ofruan këndvështrime vetëm për provokimin e paskrupullt e me kast të  Edi Ramës me qëllim që ambasadorët të mos dëgjonin fjalimin plot akuza edhe te vërteta të Sali Berishës.

Kështu gazetat shpërndanë për publikun vetëm  lajmin e mirë të rritjes se pagës minimale, ose zmadhimin të ekonomisë flluskë.