
Prezantuesit më të njohur të emisioneve të mbrëmjes në SHBA kanë dalë publikisht në mbështetje të kolegut të tyre, Jimmy Kimmel, pas pezullimit të tij nga rrjeti ABC, për shkak të komenteve mbi vrasjen e aktivistit konservator Charlie Kirk, përcjel BBC.
Stephen Colbert hapi emisionin e tij duke deklaruar: “Të gjithë jemi Jimmy Kimmel”, ndërsa e quajti pezullimin e tij një “sulm i hapur ndaj lirisë së fjalës”.
Seth Meyers shtoi: “Është privilegj dhe nder të quaj mik Jimmy Kimmel”, ndërsa Jon Stewart dhe Jimmy Fallon ironizuan duke inskenuar skeçe satirike, ku dukeshin sikur ishin të detyruar të lavdëronin Donald Trump.
Këto reagime erdhën pak pasi presidenti amerikan paralajmëroi se rrjetet kryesore televizive janë “tepër negative ndaj tij” dhe se licencat e tyre mund të “hiqen”.
Rasti ka ndezur debat në SHBA, duke e thelluar përplasjen mes mbështetësve të lirisë së shprehjes dhe atyre që e shohin këtë si shkelje të kufijve të komunikimit publik.
Kimmel u pezullua pasi në monologun e tij kritikoi ashpër “MAGA gang” duke thënë se po përpiqeshin ta paraqisnin ndryshe autorin e vrasjes së Kirk, duke e përdorur rastin për përfitime politike.
Ai e krahasoi reagimin e Trump ndaj vdekjes së aktivistit me “mënyrën si një fëmijë katërvjeçar vajton një peshk të artë”.
Shefi i FCC, Brendan Carr, i quajti komentet e tij “të sëmura”, duke akuzuar Kimmel se kishte “mashtruar publikun amerikan”.
Colbert u shpreh: “Qëndroj 100% me Jimmy dhe stafin e tij. Ky është një akt i pastër censurimi dhe pjesë e një fushate të gjatë kundër kritikëve mediatikë”.
Në të njëjtën linjë, Meyers theksoi: “Ky është një moment vendimtar për demokracinë tonë dhe të gjithë duhet të ngrihemi për lirinë e shprehjes. Nuk është rastësi që liria e fjalës është e parashikuar në Amendamentin e Parë”.
Jimmy Fallon gjithashtu theksoi: “Nuk e di çfarë po ndodh, askush nuk e di. Por e di që Jimmy Kimmel është njeri i ndershëm dhe plot humor, dhe shpresoj të rikthehet”.
Edhe Jon Stewart, në mënyrë ironike, shndërroi “The Daily Show” në një version “të aprovuar nga qeveria”, duke lavdëruar Trumpin si “vizionar, elegant dhe me një karizmë të padiskutueshme”.
Nga ana tjetër, ish-prezantuesi i njohur David Letterman tha në një aktivitet publik: “E shohim të gjithë se ku po shkon kjo. Është media e kontrolluar. Është qesharake dhe e rrezikshme”.
Por jo të gjithë u bashkuan me mbrojtjen e Kimmel. Në Fox News, Greg Gutfeld theksoi se “ka kufij për lirinë e shprehjes në televizionin publik” dhe akuzoi mbështetësit e Kimmel për hipokrizi, pasi sipas tij, më herët kishin tentuar të heshtnin komentatorët e djathtë.
Edhe Piers Morgan reagoi duke thënë se Kimmel shkaktoi “indinjatë të kuptueshme në gjithë Amerikën” dhe pyeti: “Pse ai duhet të shpallet martir i lirisë së fjalës?”.