
Bashkimi Evropian ka propozuar më 19 shtator një ndalesë të plotë ndaj importeve të gazit të lëngshëm natyror (LNG) nga Rusia, si pjesë e paketës së 19-të të sanksioneve që synojnë të reduktojnë të ardhurat e Kremlinit për financimin e luftës në Ukrainë. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se “ekonomia e luftës së Rusisë po mbahet nga karburantet fosile” dhe se është koha “të mbyllet çezma”, përcjell REL.
Paketa e re propozon që heqja dorë nga LNG rus të përfundojë deri më 1 janar 2027 – një vit më herët se planifikimi fillestar. Ky hap vjen edhe pas presionit të presidentit amerikan, Donald Trump, i cili kërkon që BE-ja të ndalë blerjet e energjisë ruse dhe të ashpërsojë qëndrimin ndaj Moskës.
Aktualisht, importet e energjisë ruse në BE kanë rënë ndjeshëm, nga 29% në vitin 2021 në vetëm 2% deri në mesin e këtij viti, me Hungarinë dhe Sllovakinë si të vetmet shtete që vijojnë të blejnë energji nga Rusia. Pavarësisht kësaj, në vitin 2024 Rusia furnizoi ende 19% të gazit të BE-së, kryesisht përmes LNG të transportuar me anije.