Vendosni fjalën kyçe....

Zelensky thotë se Ukraina ka çliruar 160 kilometra katrorë në Donbas


Forcat ukrainase kanë çliruar 160 kilometra katrorë territor gjatë një “operacioni kundërofensiv” në lindje të rajonit të Donetskut, deklaroi presidenti Volodymyr Zelensky të enjten.

Sipas tij, trupat ukrainase kanë rimarrë kontrollin e shtatë vendbanimeve në sektorët e Dobropillias dhe Pokrovskut. Operacioni, i cili është zhvilluar që nga fundi i gushtit, ka ndalur përparimin e trupave ruse drejt autostradës strategjike Dobropillia–Kramatorsk dhe ka çliruar disa fshatra të pushtuara.

Ukraina po mbron me të drejtë pozicionet dhe tokën e saj. Ne po prishim të gjitha planet e Rusisë – planet për të shkatërruar shtetin tonë,” u shpreh Zelensky, përcjellin mediat ukrainase.

Presidenti ukrainas tha gjithashtu se forcat e tij kanë kapur gati 100 ushtarë rusë, ndërsa që nga nisja e operacionit rusët kanë humbur mbi 2,500 trupa vetëm në drejtimin e Pokrovskut, prej të cilëve mbi 1,300 janë vrarë.

Në total, sipas Zelenskyt, 170 kilometra katrorë territor shtesë janë pastruar nga forcat ruse, megjithëse ai nuk dha detaje mbi statusin strategjik të këtyre zonave.

Operacionet e fundit pasojnë çlirimin e fshatit Zarichne më 8 shtator nga regjimenti 425 i sulmit “Skelia”, i cili më herët kishte njoftuar edhe për rimarrjen e Novoekonomichne dhe Udachne pranë Pokrovskut.

Ndërkohë, Rusia gjatë verës ka zhvilluar ofensiva të intensitetit të lartë përgjatë vijës së frontit.

Sipas grupit monitorues ukrainas Deep State, forcat ruse pushtuan 1,548 kilometra katrorë këtë verë, më shumë se dyfishi i territorit të marrë në të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Zelensky paralajmëroi më 16 shtator se Moska po përgatit dy operacione të mëdha ofensive për vjeshtën, por humbjet e mëdha në personel dhe pajisje mund të pengojnë aftësinë e saj për t’i realizuar.

Ai rinovoi thirrjen ndaj aleatëve për ndihmë të mëtejshme ushtarake dhe kërkoi ashpërsimin e sanksioneve për ta detyruar Rusinë të ulet në tryezën e paqes.