
Donald Trump i tha kryeministrit britanik Sir Keir Starmer se duhet të “përdorë ushtrinë” për të ndaluar emigrimin e paligjshëm në Britani, pasi presidenti amerikan përfundoi një vizitë shtetërore me një paralajmërim se problemi mund ta shkatërrojë vendin.
Duke folur në një konferencë për shtyp në Chequers, vendpushimin e kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, Trump tha se kishte ndërmarrë veprime të ashpra për të ndaluar emigrimin e paligjshëm përtej kufirit jugor të SHBA-së dhe sugjeroi që Starmer të ndiqte shembullin, shkruan FT.
“I thashë kryeministrit se do e ndaloja,” tha ai.
“Nuk ka rëndësi nëse e thërret ushtrinë apo çfarë mjetesh përdor. Emigracioni i paligjshëm shkatërron vendet nga brenda.”
Thirrja e presidentit amerikan për Starmer për të shpëtuar vendin e tij nga emigrimi i paligjshëm duke përdorur ushtrinë pasqyron thirrjet e Reform UK të Nigel Farage për një qëndrim shumë më të ashpër mbi këtë çështje, duke përfshirë “dëbimet masive”.
Starmer kundërshtoi duke thënë se qeveria po ndërmerrte hapa për të trajtuar problemin, duke konfirmuar se fluturimi i parë që mbante një emigrant indian që kishte ardhur me një barkë të vogël, kishte zbarkuar në Paris sipas një marrëveshjeje kthimi të arritur së fundmi.