
Presidenti amerikan Donald Trump dhe kryeministri britanik Keir Starmer nënshkruan sot në Chequers një marrëveshje të re të quajtur “tech prosperity deal”, e cila synon të forcojë partneritetin teknologjik mes dy vendeve.
Në një fjalim përpara liderëve të biznesit, Starmer deklaroi se investimet e shpallura gjatë vizitës shtetërore kanë thyer çdo rekord:
“Shikoni çfarë po arrijmë sot së bashku. Marrëveshjet dhe investimet që po shpallen sot thyejnë çdo rekord. Çfarë dite – 250 miliardë paund që qarkullojnë në të dy anët e Atlantikut. Ky është paketi më i madh investimesh i këtij lloji në historinë e Britanisë, me diferencë të madhe.”
Sipas njoftimit të Downing Street, shifra prej 150 miliardë paundësh përfaqëson investime direkte amerikane në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa Starmer përfshiu edhe investimet britanike në SHBA për të arritur në totalin 250 miliardë, përcjell The Guardian.
Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, Trump u shfaq i qeshur duke bërë shaka me sekretarin e tij të Thesarit, Scott Bessent, dhe sekretarin e Tregtisë, Howard Lutnick: “Duhet ta nënshkruaj këtë, Howard? Scott? Nëse marrëveshja nuk është e mirë, do t’ju fajësoj ju.”
Trump gjithashtu lavdëroi pozicionin e SHBA në garën globale për inteligjencën artificiale, duke theksuar se “Amerika është përpara Kinës” dhe se Mbretëria e Bashkuar do të jetë partneri më i fortë i Uashingtonit.
Ai pohoi se ekonomia amerikane është “në lulëzim”, kufiri është “totalisht i mbyllur” dhe inflacioni është “thuajse inekzistent” – pretendime që janë kontestuar nga analistët ekonomikë.
Pas nënshkrimit, Trump dhe Starmer pozuan me kopjet e marrëveshjes, ndërkohë që vizita shtetërore e presidentit amerikan vijon mes pritshmërive për marrëveshje të tjera ekonomike dhe diskutime mbi tarifat tregtare.