Vendosni fjalën kyçe....

Tërmet i fuqishëm 7.8 Rihter godet Rusinë, lëshohet alarm për cunami në Alaskë



Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.8 të shkallës Rihter ka goditur brigjet lindore të gadishullit të Kamçatkës në Rusi, duke shkaktuar paralajmërime për cunami në disa zona bregdetare të Alaskës perëndimore.

Sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara (USGS), epiqendra e tërmetit ishte rreth 130 kilometra në lindje të qytetit Petropavlovsk-Kamçatski, në Oqeanin Paqësor.

Pas lëkundjes, u lëshua një paralajmërim për cunami – niveli i dytë më i lartë i alarmit – për pjesë të caktuara të bregdetit të Alaskës, veçanërisht në zonat më afër epiqendrës.

Ndërkohë, Qendra e Paralajmërimit për Cunami në Paqësor, me seli në Honolulu, njoftoi se është ende herët për të përcaktuar nëse valët e cunamit mund të përbëjnë rrezik për Havait apo rajone të tjera më të largëta.

Ky rajon ka qenë aktiv kohët e fundit. Në fund të korrikut, Kamçatka u godit nga një tjetër tërmet shkatërrues me magnitudë 8.8, një nga më të fuqishmit e regjistruar ndonjëherë, i cili shkaktoi valë cunami që u përhapën deri në Hawaii dhe Kaliforni.

Cunamit janë një seri valësh të gjata që shkaktohen nga zhvendosje të mëdha dhe të papritura të ujit në oqean, zakonisht si pasojë e tërmeteve në ose nën shtratin e detit. Ato mund të udhëtojnë me shpejtësi të madhe në të gjitha drejtimet nga epiqendra dhe të shkaktojnë përmbytje shkatërruese në zonat bregdetare.

Autoritetet lokale dhe ndërkombëtare janë në monitorim të vazhdueshëm të situatës dhe kanë bërë thirrje për vigjilencë në zonat potencialisht të prekura.