
Policia Rrugore e Durrësit procedoi penalisht një 24-vjeçar nga Kosova, i cili u ndalua në aksin “Tiranë–Durrës” duke drejtuar kamionin me celular në përdorim. Gjatë kontrollit, ai tentoi të korruptonte efektivin e policisë për të shmangur gjobën.
Ky është rasti i 23-të i evidentuar këtë vit për tentativa korrupsioni ndaj punonjësve të Policisë Rrugore.
Njoftimi:
Durrës
Goditet një tjetër rast i tentativës për të korruptuar punonjësit e Policisë Rrugore.
Shkon në 23 numri i drejtuesve të automjeteve të arrestuar ose proceduar për këtë vepër penale.
Drejtonte kamionin duke përdorur aparatin celular, duke u kthyer në rrezik për përdoruesit e rrugës, dhe tentoi të korruptonte punonjësin e Policisë Rrugore, për të shmangur masën administrative për shkeljen e kryer.
Procedohet penalisht 24-vjeçari A. A., banues në Kosovë.
Shërbimet e Policisë Rrugore të Durrësit, gjatë monitorimit të akseve rrugore për parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e parametrave të sigurisë në rrugë, ndaluan në aksin “Tiranë–Durrës”, drejtuesin e një kamioni që po përdorte celularin gjatë lëvizjes.
Në momentin e ndalimit, ai i ka ofruar para punonjësit të Policisë, me qëllim shmangien e ndëshkimit.
Në vijim të veprimeve, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. A., 24 vjeç, për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Policia Rrugore e Durrësit apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të zbatojnë në mënyrë rigoroze rregullat e qarkullimit rrugor dhe fton qytetarët të denoncojnë në numrin 112 çdo shkelje, duke garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm nga shërbimet e Policisë.