
Franca u përfshi këtë të enjte nga një valë e gjerë grevash dhe marshimesh kundër shkurtimeve buxhetore dhe politikave të reja ekonomike, vetëm një javë pas emërimit të kryeministrit të ri, Sébastien Lecornu.
Sipas të dhënave të qeverisë të raportuara nga mediat franceze, deri në mesditë ishin arrestuar 94 persona, përfshirë 15 në Paris, ndërsa 32 prej tyre mbeten ende në paraburgim, raporton The Guardian.
Autoritetet konfirmuan se po zhvillohen të paktën 476 demonstrata të ndara në mbarë vendin.

Në Marseille, policia tha se rreth 15 mijë persona morën pjesë në manifestime, megjithëse organizatorët raportuan një numër dukshëm më të lartë. Pamjet nga terreni tregojnë protestues me flakadanë, pankarta dhe simbole të sindikatave kryesore.
Protesta të mëdha u zhvilluan gjithashtu në Nantes dhe Lyon, ku mijëra qytetarë marshuan në rrugët kryesore duke kundërshtuar politikat e qeverisë mbi shërbimet publike dhe pagat.

Në Paris, rreth 100 protestues arritën të depërtonin deri te Ministria e Ekonomisë, ku ndezën tymuese përpara se të vazhdonin drejt Place de la Bastille, ku pritet të mbahet demonstrata kryesore e ditës.
Këto greva konsiderohen si ndër më të mëdhatë që ka përjetuar Franca vitet e fundit, duke reflektuar pakënaqësinë e gjerë sociale dhe sfidën e qeverisë së re përballë një krize politike që po thellohet.
