Vendosni fjalën kyçe....

PD kërkon anulimin e seancës plenare të 18 shtatorit



Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka dorëzuar sot një kërkesë zyrtare në Kuvendin e Shqipërisë, duke kërkuar shpalljen e pavlefshmërisë së seancës plenare të datës 18 shtator 2025. Në këtë seancë u hodh në votim projektvendimi “Për miratimin e programit politik dhe përbërjes së Këshillit të Ministrave”.

Sipas opozitës, procedura e ndjekur në seancë ka qenë në shkelje të hapur të Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit, duke përjashtuar opozitën nga debati dhe duke shmangur detyrimin ligjor për paraqitjen e programit qeverisës nga vetë Kryeministri.

Në dokumentin e firmosur nga kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, theksohet se Kryeministri ndërpreu fjalën për t’ia kaluar, siç thuhet, “ministres virtuale Diella”, një akt që opozita e konsideron “veprim prej karagjozi” dhe një formë propagande që cenon seriozitetin e një akti kushtetues.

Akuza të drejtpërdrejta për shkelje procedurale:

Partia Demokratike rendit një sërë shkeljesh, mes të cilave:

  • Kryeministri refuzoi të paraqiste programin politik në mënyrë të plotë;

  • Deputetëve të opozitës iu mohua e drejta e fjalës dhe ndërhyrjes për procedurë, në kundërshtim me nenin 49 të Rregullores;

  • Seanca u mbyll në mënyrë të njëanshme, duke shmangur diskutimin e parashikuar nga neni 110;

  • Procesi i votimit u zhvillua në kundërshtim me nenin 97 të Kushtetutës.

Çfarë kërkon opozita?

Në kërkesën e depozituar, PD kërkon:

  • Anulimin e votimit të zhvilluar më 18.09.2025;

  • Rithirrjen e seancës plenare me të njëjtin rend dite, por duke ndjekur të gjitha procedurat parlamentare;

  • Shmangien e propagandës dhe provokimeve, dhe rikthimin e seriozitetit institucional në Kuvend.

PD paralajmëron se do të vazhdojë të mbrojë të drejtat e saj parlamentare dhe i bën thirrje Kryetarit të Kuvendit të mos bëhet palë në, siç e cilëson ajo, “transformimin e sallës plenare në teatër kukullash” nga kryeministri.