
Gjiganti amerikan i teknologjisë Nvidia njoftoi të enjten se do të investojë 5 miliardë dollarë në Intel, duke e bërë atë një nga aksionarët më të mëdhenj të kompanisë së vjetër të çipave dhe duke hapur një kapitull të ri në industrinë e procesorëve.
Ky investim vjen vetëm pak javë pasi qeveria amerikane ndërhyri duke blerë një 10% të aksioneve të Intel, në një marrëveshje të pazakontë për të mbështetur kompaninë që prej vitesh përpiqet të rimëkëmbet. Pas lajmit, aksionet e Intel u rritën me 30% në tregun parahapës, ndërsa Nvidia fitoi mbi 3%.
Sipas marrëveshjes, Intel dhe Nvidia do të bashkëpunojnë për zhvillimin e çipave të rinj për qendrat e të dhënave dhe për kompjuterët personalë, duke i integruar procesorët qendrorë të Intel me çipat grafikë dhe të inteligjencës artificiale të Nvidia, shkruan Reuters.
Ky bashkëpunim synon të forcojë lidhjet mes dy gjigantëve amerikanë dhe të rrisë konkurrencën ndaj rivalëve si TSMC, AMD, Apple dhe Broadcom.
Shefi ekzekutiv i Nvidia, Jensen Huang, tha në një deklaratë: “Ky bashkëpunim historik lidh fuqinë e inteligjencës artificiale të Nvidia me procesorët e Intel dhe ekosistemin e gjerë x86 – duke krijuar themelet e një epoke të re të kompjuterizimit.”
Marrëveshja u përshëndet edhe nga analistët si një hap me përfitime të mëdha politike, duke forcuar lidhjet e Nvidia me administratën amerikane dhe duke e ndihmuar atë në përballjen me kufizimet mbi shitjet e çipave në Kinë.
Për Intel, i cili së fundmi ka marrë gjithashtu 2 miliardë dollarë nga Softbank dhe 5.7 miliardë nga qeveria amerikane, ky investim shihet si një mundësi për të ristrukturuar operacionet dhe për të rifituar terren në tregun global të çipave.
Ekspertët theksojnë se bashkëpunimi Intel-Nvidia përbën një sfidë serioze për TSMC – prodhuesin aktual të çipave më të fuqishëm të Nvidia – si dhe për AMD, që garon me Intel në sektorin e qendrave të të dhënave.