Vendosni fjalën kyçe....

Mori gjobë për shkelje rrugore, efektivi i Gardës debaton me policin rrugor



Një ngjarje e tensionuar ka ndodhur paraditen e së enjtes në rrethrrotullimin e Postës në Elbasan, ku efektivi i Gardës së Republikës dhe shoferi i prokurorit të SPAK, Mateo Ademi, 25 vjeç, është përfshirë në një konflikt verbal me një oficer të sektorit të qarkullimit rrugor.

Sipas burimeve paraprake, debati ka nisur pas vendosjes së një gjobe ndaj Ademit, i cili ishte ndaluar nga policia rrugore për shkak të një shkeljeje në rrugë me automjetin e tij privat. Gjatë shkëmbimit të fjalëve, Ademi ka kërcënuar në mënyrë të drejtpërdrejtë oficerin Besmir Likaj, duke krijuar tension në prani të dhjetëra qytetarëve.

Pas incidentit, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat dhe për të verifikuar nëse ka pasur shkelje disiplinore apo penale. Burimet pranë AMP-së konfirmojnë se janë marrë dëshmitë e të gjithë palëve dhe po analizohen pamjet filmike të zonës.

Institucionet përkatëse, përfshirë Gardën e Republikës dhe Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), janë vënë në dijeni për situatën, ndërkohë që hetimet vijojnë.