Vendosni fjalën kyçe....

Dy persona të vrarë në një sulm me armë në kufirin midis Jordanisë dhe Izraelit


Dy persona humbën jetën të enjten pasditen në një sulm me armë zjarri në pikën kufitare Allenby Crossing, në kufirin midis Jordanisë dhe Izraelit.

Autoritetet izraelite konfirmuan se forcat e sigurisë neutralizuan dy terroristë në vendngjarje.

Sipas hetimeve paraprake, autori kryesor dyshohet të jetë një shtetas jordanez, shofer kamioni që transportonte ndihma humanitare drejt Rripit të Gazës, sipas Ynet.

 Gjatë kontrollit të automjetit në territorin izraelit, ai doli nga kamioni, hapi zjarr nga afër mbi viktimat, një 68-vjeçar dhe një 20-vjeçar dhe gjithashtu i goditi me thikë.

Të dy humbën jetën në vend. Autoritetet po hetojnë nëse një person tjetër e ndihmoi autorin.

Mediat palestineze raportuan se pas sulmit, pika kufitare Allenby u mbyll së bashku me hyrjet kryesore të qytetit Jericho në Bregun Perëndimor.

Ngjarja ndodhi ndërsa autori kishte kaluar terminalin nga ana jordaneze dhe kishte hyrë në pikën e kontrollit izraelit. Sapo zyrtarët e sigurisë po kontrollonin kamionin, ai nxori një armë zjarri dhe qëlloi viktimat.

Më pas arriti të kryente edhe një sulm me thikë, përpara se të neutralizohej.

Ky incident vjen rreth një vit pas një tjetër sulmi të përgjakshëm në të njëjtën pikë kufitare, kur tre persona u vranë nga një tjetër shofer jordanez, Maher Jazi.

Ngjarja zhvillohet në një klimë të tensionuar rajonale. Vetëm disa ditë më parë, mbreti Abdullah i Jordanisë në Samitin e Jashtëzakonshëm Arabo-Islamik në Doha, kritikoi ashpër Izraelin pas atentatit të dështuar kundër drejtuesve të Hamasit në Katar.

Ai deklaroi: “Qeveria e Izraelit vazhdon hegjemoninë e saj sepse komuniteti ndërkombëtar e ka lejuar të qëndrojë mbi ligjin. Përballë këtij kërcënimi, përgjigjja jonë duhet të jetë e qartë, vendimtare dhe parandaluese.”

Sulmi i sotëm në Allenby Crossing rrezikon të përshkallëzojë edhe më tej tensionet mes Izraelit, Jordanisë dhe Palestinës, ndërkohë që situata e sigurisë në Bregun Perëndimor mbetet e brishtë.